Partitë parlamentare në Kosovë i kanë bërë të gjitha përgatitjet për ballafaqimin, që do të zhvillojnë këtë të enjte në seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, për zgjedhjen e kontestuar të kryeparlamentarit kosovar.

Në këtë seancë, Kushtetuesja u ka ndarë nga dhjetë minuta kohë secilës forcë parlamentare, përkatësisht PDK-së në njërën anë dhe forcave të tjera politike në anën tjetër.

Meqenëse PDK është palë, e cila ka dërguar rastin e seancës konstituitive në Gjykatën Kushtetuese, përfaqësuesi i saj, deputeti Xhavit Haliti, ka thënë për Top Channel se nuk do të kenë nevojë për paraqitje të argumenteve shtesë në seancë dëgjimore. Madje, Haliti beson se tashmë Kushtetuesja e ka të formësuar vendimin, në bazë të të dhënave me shkrim që i kanë dërguar forcat politike.

“Sidoqoftë, ne do të shkojmë dhe do t’ia lëmë Gjykatës Kushtetuese, të analizojë lëndën që kemi dorëzuar. Unë besoj se ata e kanë analizuar dhe e kanë studiuar deri tani, ndoshta mund të kenë edhe vendimin e formësuar. Si pjesën tonë të shkruar, edhe pjesën e dorëzuar nga koalicioni i tri partive politike”, tha Xhavit Haliti, deputet i PDK.

Haliti është i bindur se vendimi do të jetë i qartë dhe do t’i japë të drejtë PDK-së, por sipas tij ky vendim i Gjykatës nuk pritet ta zgjidhë ngërçin e krijuar politik. Partitë politike të koalicionit paszgjedhor, që kanë kërkuar seancë dëgjimore, gjithashtu nuk priten të paraqesin argumente jashtë atyre me shkrim, që kanë dorëzuar në Gjykatë.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila do të mbrojë të enjten në Kushtetuese argumentet e koalicionit paszgjedhor, ka thënë se – kur e kanë kërkuar seancën dëgjimore – kanë menduar që Gjykata do ta ftojë aty Sekretarinë e Kuvendit, për të dëshmuar për procedurat gjatë seancës konstituitive.

“Nuk është se presim diçka të jashtëzakonshme. Natyrisht që, krejt qëllimi i seancës dëgjimore është që të sqarohet edhe më tutje ndonjë gjë, që mund të ketë mbetur e paqartë për gjyqtarët në materialet që kanë lexuar. Por, qëllimi i kërkesës për seancë dëgjimore, në fakt, ka qenë që të ftohet administrata e Kuvendit apo Sekretariati, si organe që kujdesen për mbarëvajtjen e seancës. Megjithatë, Gjykata ka vendosur që të mos i ftojë ato, por partitë politike”, tha Vjosa Osmani, deputete e LDK.

Top Channel e ka parë ftesën, përmes së cilës Kushtetuesja u ka bërë të ditur përfaqësuesve të subjekteve parlamentare, se e kanë të domosdoshme të jenë në enjten në sallën e gjyqit, nga ora 9 e mëngjesit.

Top Channel