Berlusconi kërkon të “zgjojë” Milanin

19/08/2014 00:00

Silvio Berlusconi kërkon t’i japë Milanit një goditje të fuqishme këtë merkato, e në të njëjtën kohë edhe t’i qëndrojë pranë lojtarëve të tij, por për këtë gjë duhet të jetë i pranishëm vet në Milanello gjatë kësaj jave, edhe pse nuk është përcaktuar dita.

Megjithatë, presidenti i kuqezinjve, i cili ka ndjekur personalisht edhe miqësoren ndaj Valencias, të humbur 2-1, duket se ka në mendje t’i ngrejë moralin “djallit” që, për momentin vetëm ‘djall’ nuk mund të jetë.

Berlusconi ka hedhur piketat së bashku me Pippo Inzaghin, për të kuptuar se çfarë nuk ka shkuar në këtë fazë përgatitoreje dhe për të kërkuar zgjidhjet e duhura për të rikthyer në rrugën e duhur kuqezinjtë. Nisja e kampionatit është 15 ditë larg, kundër Lazios, por situata është shqetësuese. I pashmangshëm është edhe diskutimi me Mario Balotellin nga ana e padronit kuqezi, për ta bindur atë të japë maksimumin për fanelën.

Ndërkohë, Milan duket se nuk do të heqë dorë nga Alessio Cerci, për të cilin administratori i deleguar Adriano Galliani duket se ka takuar presidentin e Torinos, Urbano Cairo. Lojtari kërkohet me ngulm nga Inzaghi, por konkurrenca është e fortë, pasi atë e kërkon edhe Atletico Madrid.

Cairo kërkon plot 20 mln euro për Cercin, ndërsa Galliani ka ngritur ofertën në 12 mln euro, por në tratativa mund të përfshihen edhe lojtarë si Gabriel, Didac Vila dhe Albertazzi.

Top Channel