A janë shitur diplomat në institutin e arsimit të lartë “Kristal”? Kësaj pyetje do t’i japë tashmë një përgjigje zyrtare Prokuroria, e cila do të merret me verfikimin dhe kontrollin e plotë të gjithë dokumentacionit të këtij institucioni, i cili gjatë këtyre viteve ka funksionuar duke shkelur 24 kritere ligjore, nga 37 që janë në total.

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Plarent Ndreca, tha se po kryhet kallëzim penal ndaj drejtuesve të këtij institucioni dhe rektorëve apo dekanëve përgjegjës.

“Kemi vendosur që të bëjmë kallëzim penal ndaj personit juridik, pra institucionit të arsimit të lartë, ndaj rektorit të këtij institucioni, ndaj administratorit, kancelarit dhe dekanëve, si dhe Inspektoriatit Kombëtar të Ndërtimit për godinën”, u shpreh sekretari Plarent Ndreca.

Regjistra të ndryshuar, emra të përsëritur, diploma të tërhequra nga një individ, të huaj që kanë përfunduar arsimin e lartë në këtë institucion, duke u paraqitur vetëm një herë dhe pa dhënë provimin e gjuhës shqipe.

“Në institucionin e arsimit të lartë ‘Kristal’ u gjetën regjistra themeltarë me emra të paplotësuar, të plotësuar pjesërisht, ose me përsëritje emrash. Nga verifikimi i regjistrave të diplomimit u gjetën regjistra të ngjashëm. Për programe të ndryshme studimi të ofruara janë tërhequr diploma studimi në bllok, 10 apo 20 diploma nga i njëjti person, në të njëjtën datë, në mungesë të autorizimit të personave përkatës. Rezultojnë diploma të tërhequra pa numra fare. Në institucionin e arsimit të lartë nuk gjen dosje të të gjithë studentëve të regjistruar, ato nuk janë të plota, mungon dokumentacioni bazë si dëftesa e shkollës së mesme. Në dosjet e studentëve të huaj ka mangësi dokumentacioni bazik, siç është dëshmia e njohjes së gjuhës shqipe”, u shpreh më tej sekretari Ndreca.

Diplomat e studentëve, të cilat janë dhënë në mënyrë fiktive nuk do të njihen nga MAS. Ky institucion vepron në një godinë pa leje ndërtimi dhe shfrytëzimi, si dhe ka vepruar me dy lloje kontratash ndaj studentëve.

Top Channel