Agron Cane në burg pa afat

19/08/2014 00:00

Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë vendosi masën e sigurisë burg pa afat për Agron Canen ish-përfaqësuesin e zyrës së deputetit Koço Kokëdhima i akuzuar për shfrytëzim të këtij posti kundrejt shërbimeve seksuale nga një minorene dhe nëna e saj.

Avokati i të pandehurit kundërshtoi akuzat dhe kërkoi pafajësinë si dhe gjykimin në gjendje të lirë, por trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtarja Enkelejda Doda pas analizimit të fakteve i ka hedhur poshtë këto pretendime duke e lënë në burg Agron Canen. Elvira Gega denoncuesja e kësaj ngjarjeje ndihet më e sigurtë pas vendimit.

“Këtë që ndodhi ta marrin mësim dhe guxim shumë njerëz të tjerë, të kenë kurajo ta bëjnë këtë gjë dhe do jenë shumë mirë. Unë për vete kalova një skandal, një frikë në familjen time, në veten time në radhë të parë. Por duke kaluar ditët dhe hetimet po vazhdojnë, ai person u dënua me burg pa afat dhe hetimet po vazhdojnë në këtë moment dhe nuk e di ndoshta kam bërë gjënë e duhur”, thotë Elvira Gega, denoncuesja e skandalit.

Më parë gjatë ditës Gega u thirr sërish nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë për të plotësuar dëshminë me detaje shtesë, ndërsa hetimet që do të vijojnë pritet të grumbullojnë dëshmitë e disa dhjetëra personave në Sarandë si dhe do të analizojnë procedurat e funksionimit të zyrës së deputetit Koço Kokëdhima që grumbullonte shqetësimet e elektoratit.

Ndërkohë avokati i të akuzuarit paraqiti në media qendrimin e tij.

“I qendrojmë deklaratës së mbrojtjes. Nga provat që kemi mbledhur, nga intervistat që ka dhënë kalllëzuesja vërtetohet se, duke kaluar edhe në filtrin e ekspertëve që ne kemi caktuar si psikologë, është e montuar, është e përdorur për ta goditur politikisht të dyshuarin pasi ishte një aktivist i Partisë Socialiste në Sarandë. Deri në këtë fazë provat janë një kallëzim i kallëzueses dhe një përgjim ambiental që nuk përmbush atë që quhet provë ligjore”, thotë avokati i Agron Canes, Gjergji Imeraj.

Agron Cane u arrestua nga policia pasi u denoncua se kërkoi marrëdhënie seksuale me një grua dhe vajzën e saj 14 vjeç në shkëmbim të një vendi pune.

Top Channel