Duka “kundër” De Biazit

17/08/2014 00:00

Kampionati shqiptar po i afrohet fillimit të sezonit të ri, këtë herë me shumë bujë sa i përket merkatos verore pasi shumë emra të njohur të përfaqësueses janë rikthyer, por jo vetëm kaq. Pas shumë vitesh ne do të kemi një stadium të ri kombëtar si ai i Elbasanit që përfundon muajin e ardhshëm dhe nga ku do të fillojë aventura europiane për eliminatoret e Euro 2016-n.

Presidenti i Federates Shqiptare të Futbollit Armand Duka, në një intervistë për Top Channel tregon gjithcka rreth skemës së kampionatit, polemikës se De Biasit për nivelin e Superligës, për projektet e stadiumeve të rinj dhe deri tek synimin personal i tij për mandatin e katërt në krye të futbollit shqiptar.

Ky sezon i ri i futbollit shqiptar e sheh Superligën me 10 skuadra dhe 4 faza, një skemë mëparëshme, por e rikthyer me një qëllim të caktuar, pavarësisht mangësive që ka kjo formulë.

“Për të patur një produkt me cilësor, më komercial dhe për të krijuar më shumë financa për aktorët e garës. Duke qenë 10 skuadra, kuptohet që edhe futbollistët me cilësorë do të grumbullohen në këto 10 skuadra, sic edhe kemi parë në merkaton e verës. Realisht të takohesh katër herë dhe ndoshta edhe gjashtë, bashkë me Kupën, është vetëm një argument për të qenë kundër skemës, por kuptohet për vetë kushtet që kemi ne asnjë skemë nuk mund të jetë perfekte”, thotë kreu i FSHF-së, Armand Duka.

Ndërkohë sa i përket deklaratës së De Biasit se lojtarët që luajnë në Superligë, nisur nga paragjykimi i trajnerit për nivelin e kampionatit tonë kanë vështirësi aktivizmi në përfaqësuese, Presidenti Duka i kujton edhe një herë se shumë futbollistë në kombëtare janë grumbulluar edhe nga kampionati ynë dhe do të vazhdojnë të grumbullohen, duke e cilësuar lëvizjen e Vilës si më tepër pozitive se sa negative për ardhjen nga kampionati grek tek Superliga jonë.

“Realisht nga kampionati shqiptar në cdo kohë kanë luajtur në ekipin kombëtar futbollistë. Frekuenca që mund të luash në këtë kampionat me 10 skuadra me frekuencën e kampionatit grek nuk më duket…kampionati grek ka 2-3 skuadra të nivelit të mirë, ndërsa skuadrat e tjera, sipas meje nuk është se kanë ndonjë lloj niveli, kështu që Vila nuk besoj se ka humbur ndonjë gjë”, shton ai.

Më pas Duka i ka bërë thirrje presidentëve të klubeve të jenë disi më të përgjegjshëm për mbarëvajtjen e kampionatit.

“Uroj që të jetë një kampionat i mirë. Uroj të gjithë trajnerët, futbollistët, drejtuesit e klubeve, por ajo që do t’i kërkoja, ndoshta do t’i këshilloja është që të gjithë klubet përqendrohen shumë dhe financojnë shumë për futbollistët dhe trajnerët. Le të financojnë pak më shumë për ta përgatitur ndeshjen ashtu sic duhet, për të qenë një ditë feste për qytetin dhe tifozët e tyre”, deklaron Duka.

E gjithë vëmendja e infrastrukturës sportive për momentin është e përqendruar tek stadiumi i Elbasanit, i cili ka si synim përfundimin brenda afatit, që është zhvillimi i ndeshjes me Danimarkën, e programuar për t’u luajtur më 11 tetor.

“Po punohet me 3 turne dhe do të arrijmë kohën për ndeshjen e parë që do ta luajmë në Shqipëri në atë stadium dhe besoj në kushte optimale për tifozët, për mediat, për futbollistët dhe për të gjithë”, shprehet kreu i FSHF-së.

Ndërkohë për stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ka një ngërç financiar sa i përket garancive që kërkohen dh po vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një formule të re. E megjithatë kur duket se çështja e stadiumit të përfaqësueses është zgjidhur për momentin me “Ruzhdi Bishutën”,  vëmendja kalon tek rezultatet që mund të arrijmë në këtë eliminatore të europianit.

“Nuk mund të quhet 3-pikësh i sigurtë as Armenia në Shqipëria dhe as Shqipëria në Portugali. Besoj se do të dhurojë goxha emocion, goxha garë dhe goxha spektakël. Nuk është se De Biazit apo ndonjë futbollisti i cënohen financat apo ftesat në ekip kombëtar për nga kualifikimi apo moskualifikimi. Nuk mund të them që do të ketë një marrëdhënie të re me De Biazin nëse kualifikohemi ose nëse nuk kualifikohemi. Kjo varet nga paraqitja e ekipit, nga mënyra e drejtimit. Nuk është kusht kualifikimi”, shton presidenti Duka.

Ndryshimi i drejtimit të përfaqësueses U-19 nga Foto Strakosha, i larguar për tek Olimpiakosi, tek Altin Lala duket t’i ketë kthyer besimin Dukës më tepër tek ish-lojtarët e kombëtares që kanë luajtur e jetuar jashtë, por të ata mund të marrin edhe përfaqësuesen A.

“Të gjithë e kanë mundësinë për të marrë ekipin A. Altini është një potencial për gjithcka në futbollin shqiptar”, përgjigjet ai.

Në fund Duka zbulon edhe objektivin e tij personal për këtë mandat të katërt në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Kualifikimi në europian është akoma më i vështirë se sa ndërtimi i stadiumit. Do t’i dëshiroja të dyja, por nuk është se varen nga unë. Do të bëja maksimalen për t’i patur të dyja. Nëse do të zgjidhja njërën, do zgjidhja kualifkimin në europian”, përfundon intervistën e tij për Top Channel, kreu i FSHF-së.

Top Channel