Kupa, Stuttgarti eliminohet, BVB vazhdon

17/08/2014 00:00

Stuttgarti dhe Mainzi janë dy eliminimet e para befasuese të raundit të parë të Kupës së Gjermanisë (DFB Pokal), teksa të parët janë mposhtur 2-0 nga kryesuesit e Bundesligës së dytë Bochum, në ndeshjen e parë zyrtare të rikthimit të Armin Veh në krye të klubit.

Veh u rikthye në Stuttgart këtë verë, ekip me të cilin fitoi Bundesligën në vitin 2007, pasi drejtoi për 3 sezone Eintrachtin e Frankfurtit. Gjithsesi, ai pësoi një goditje të rëndë dhe eliminim të parakohshëm, pasi Simon Terodde shënoi një dygolësh, nga një për secilën pjesë, për Bochumin.

Në ndeshjet e tjera të Kupës, Borussia Dortmund nuk zhgënjeu aspak, duke triumfuar 4-1 ndaj Stuttgarter Kickers, ndeshje që shënoi edhe rikthimin e Marco Reus pas dëmtimit, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit për “Westphalians”. Reus mungoi në Botërorin e Brazilit për shkak të dëmtimit të ligamentit të kaviljes, të pësuar 24 orë përpara se ekipi të nisej për në Amerikën Jugore.

Reus nuk pritej të kthehet përpara Shtatorit, por arriti të luante për rreth 60 minuta për Dortmundin, teksa për verdhezinjtë kjo është fitorja e dytë radhazi pas triumfit ndaj Bayern Munchen për Superkupën e Gjermanisë. Shënuan gol Mkhitaryan, Aubameyang (dygolësh) dhe Adrian Ramos.

Edhe M’gladbach bëri detyrën ndaj Homberg me fitoren 3-1, ku shënoi edhe Andre Hahn i ardhur këtë merkato verore, ndërsa Hertha Berlin mposhti 4-2 Viktoria Këln.

Edhe pse mbeti me dhjetë vetë, Hannover mundi 3-1 Astoria Ëalldorf, ndërsa Këlni fitoi bindshëm 4-0 ndaj Braunschweig.

Top Channel