Conte, zyrtarisht trajner i Italisë

14/08/2014 00:00

Ka ardhur zyrtarizimi, Antonio Conte do të jetë trajneri i ri i kombëtares italiane. Mediat vendase shkruajnë se presidenti i ri i Federates Italiane të Futbollit, Tavecchia, ka konfirmuar lajmin mbrëmjen e së enjtes.

Sipas burimeve, ish-trajneri i Juventusit, që aktualisht ndodhet me pushime në Kroaci, do të kthehet në orët e ardhshme në Romë që të nënshkruajë një kontratë 2-vjeçare.

Pritet që ai të përfitojë 5 milionë euro në sezon, kjo edhe falë pranimit të një prej sponsorëve të përfaqësueses, Puma, për të plotësuar kërkesat e teknikut.

Nga burimet mësohet se kompania në fjalë do të paguajë rreth 4.5 milionë, ndërsa Federata është shprehur e gatshme të shkojë deri në 1.9 milionë.

Kështu, Antonio Conte, trajneri me të cilin Juventusi u shpall tre herë rradhazi kampion i Italisë, do të përfitojë një rrogë 3 herë më të madhe se parardhësi i tij Cesare Prandelli. Provat e para të tij do të jenë më 4 dhe 9 shtator.

Përveç kësaj, Conte hyn në listën e trajnerëve të kombëtareve më të paguar në Europë. Para tij është Fabio Capelo me 9 milionë euro, ndërsa në vendin e tretë është anglezi Roj Hodgson me 4.5 milionë euro.

Top Channel