Dhërmi, vranë kamarierin, 3 në pranga

14/08/2014 00:00

Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur në Dhërmi, ku trupi i pajetë i një 28-vjeçari u gjet në orët e paradites të së enjtes me shenja dhune në trup.

Sipas policisë 28-vjeçari i identifikuar si Denis Vyshka nga Elbasani, i cili prej 10 ditësh punonte si kamarier në një restorant në Dhërmi, ka gjetur vdekjen si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij nga dy bashkëpronarët dhe kuzhinieri i restorantit ku ai punonte.

Policia arrestoi me akuzën e vrasjes në bashkëpunim dy pronarët, Ervis Zylfaj dhe Altin Imeraj, përkatësisht 24 dhe 35 vjeç dhe kuzhinierin e restorantit, Miklovan Zymeraj, 20 vjeç. Të tre këta persona dyshohet se pasi kanë ushtruar dhunë ndaj 28-vjeçarit në ambientet e restorantit, për të humbur gjurmët kanë transportuar trupin e pajetë të tij 300 metra larg vendit të ngjarjes.

Shkak i dhunës ndaj 28-vjeçarit besohet se ka qenë pretendimi i tre autorëve se viktima u kishte vjedhur 500 mijë lekë nga xhiroja e restorantit.

Gjatë orëve të mesditës së të enjtes, pastruesja e lokalit ku ishte punësuar viktima është paraqitur në spital me shenja të shumta dhune në trup. Ajo ka akuzuar pronarët e lokalit për dhunën e shkaktuar.

Top Channel