Dëmtohet Martinez, Bayern drejt Benatia

14/08/2014 00:00

Përveç humbjes së Superkupës ndaj Dortmund, Pep Guardiola tashmë duhet të bëjë edhe pa Javi Martinez.

Spanjolli mbeti i dëmtuar në ndeshjen e parë të rëndësishme për ekipin e tij për këtë sezon, atë ndaj Dortmund, duke u përplasur me një nga kundërshtarët e për pasojë mbeti i dëmtuar në gju.

Deri tani ende nuk ka një vlerësim të saktë të shkallës së dëmtimit, por dyshohet për këputje të ligamenteve, të cilat do ta linin lojtarin të paktën 6 muaj jashtë fushave.

Më parë, Karl-Heinz Rummenigge ishte shprehur se Bayern nuk do të kryente më lëvizje lojtarësh gjatë kësaj merkatoje, por me dëmtimin e spanjollit situata ka ndryshuar. Lojtari i parë që shihet si një zëvendësues i denjë për Martinez është marokeni i Romës, Benatia, për të cilin bavarezët ishin interesuar edhe më parë, por shuma prej 50 milionë euro e kërkuar nga Roma kishte larguar gjermanët.

Me kalimin e ditëve të merkatos dhe me mungesën e konkurrencës, duket se shifra e transferimit të marokenit ka rënë në 35 milionë.

Por më parë drejtuesit e Bayern do të presin konfirmimin e stafit mjekësorë për shkallën e dëmtimit të Martinez dhe më pas do të lëvizin në merkato për zëvendësuesin e tij.

Top Channel