Ja si mund të jetë Italia e Contes

13/08/2014 00:00

Antonio Conte duket se do të riveshë tutat e kombëtares, 14 vite më vonë dhe me një rol të ndryshëm nga dikur.

Nëse emërohet i tillë, ai do t’i ofronte medias një imazh të ri, të ndryshëm krahasuar me atë të ofruar nga paraardhësit e tij të fundit, qoftë nga Prandelli, ashtu dhe nga Lippi. Tepër pasionant dhe ndonjëherë piktoresk, si puna e Trapattonit që bëri të shkëlqente Juven, maniak si puna e Sacchit, apo modelit të tij inspirues.

Në Italinë e Contes do të vijonte të kishte një prezencë të vazhdueshme bardhezi, jo vetëm sa i përket së kaluarës së trajnerit, por sepse Juventusi duket se është ekipi që shpreh më së miri vlerat e futbollit italian në ditët e sotme.

Me formacionin bazë 3-5-2, por jo të pandryshueshëm duke parë fushatën e fundit të merkatos së Juves përpara largimit, teksa kërkonte lojtarë të përshtatshëm për skemën 4-3-3, të sigurt në formacion do të ishin Bonucci e Chiellini në mbrojtje, ndërsa Barzagli sipas situatës, ndërsa Ranocchia nëse rikthehet si në kohët e Barit të Contes.

Sa i përket mesfushës, Pirlo do të jetë në zemër të saj, deri kur kondicioni fizik ta lejojë diçka të tillë, përndryshe pasardhësi i tij është gjetur tashmë dhe ai quhet Verratti. Sa i përket pjesës së mbetur, Darmian konsiderohet si një anësor i djathtë i tërhequr, ndërsa Candreva si anësor i avancuar ashtu si dhe Cerci.

Marchisio, ndonëse te Juve ishte disi i lënë në hije për shkak të shpërthimit të Pogbasë, me “axurrët” është i padiskutueshëm. De Rossi dhe Montolivo do të ishin me siguri pjesë e grupit, për të mos fshehur edhe një rikthim të Giaccherinit.

Në sulm, alternativat janë të shumta, por fakti që Juve la Immobilen të largohej, tregon se Conte nuk kishte shumë besim tek ai, ndërkohë që Giuseppe Rossi është pikërisht “pyka” që ai pëlqen më shumë. I lëvizshëm dhe inteligjent në aspektin taktik. Për pozicionin tjetër mbetet për t’u parë, pasi Conte nuk do të tolerojë sjellje të pahijshme dhe kundër shpirtit të grupit.

Me këtë, duket se Balotelli i ka dyert e kombëtares të mbyllura…

Top Channel