Milan, sot vendoset për Lavezzin ose D. Costa

13/08/2014 00:00

Tjetër takim mes krerëve më të lartë në “Arcore”. Sonte në mbrëmje, Silvio Berlusconi pret për herë të pestë Adriano Gallianin dhe Pippo Inzaghin.

Në darkën mes presidentit, administratorit të deleguar dhe trajnerit do të flitet për merkaton dhe, ndryshe nga hera e fundit, do të mungojë Barbara Berlusconi.

Milani po kërkon një sulmues krahu dhe emrat për momentin janë vetëm dy: Lavezzi dhe Douglas Costa. Ndërkohë që pista që të çon te Cerci duket disi e ftohur, ndërsa ajo e rikthimit të Taarabt është gjithnjë në “standby”.

Duket se nuk do të ketë pushime për Silvio Berlusconin, i cili kërkon të kujdeset edhe vet për Milanin e tij. Inzaghi do të kërkojë sërish një sulmues krahu, por kërkimet janë fokusuar vetëm në pak emra. Torino kërkon 18-20 mln euro për Cercin dhe nuk bën asnjë ulje, ndërkohë që edhe PSG apo Shakhtar Donetsk nuk kanë asnjë qëllim t’i lënë thuajse të lirë Lavezzin dhe Douglas Costan.

Ndaj, duhet një investim i rëndësishëm, me konsensusin e presidentit, por për momentin Galliani i ka duart e lidhura. Edhe braziliani i ukrainasve të Donetskut, pavarësisht se agjenti i tij Joorabchian ka marrëdhënie të mira me Adrianon, vlen plot 25 mln euro, por kërkon me ngulm të largohet nga ambienti tepër i rrezikshëm në Ukrainë.

Top Channel