Legia, kërcënohet fajtorja për skualifikimin

12/08/2014 00:00

Marta Ostrowska, drejtuesja e Legia Varshavës, e akuzuara për gafën kundër Celtic, që i kushtoi skualifikimin nga Champions League klubit polak, ka gabuar dhe këtë e ka pranuar.

Por, policia polake i ka këshilluar asaj dhe familjes të largohen për pak kohë nga Varshava. Motivi? Kërcënimet e përsëritura me vdekje nga tifozët e Legias.

“Ka pasur disa telefonata të ndryshme për të kërkuar adresën time. Më kanë këshilluar të largohem”, është shprehur drejtuesja polake.

Ndërkohë, klubi polak nuk ka aspak ndërmend të dorëzohet, teksa po provon sërish të marrë vendin që i takonte në Champions, me një tjetër rekurs të drejtuar drejtpërdrejt UEFA-s.

Kërkesa në fakt përmban të shkruar nevojën për reduktim të sanksionit apo anulim të plotë të tij: “Është diçka që shkon përtej sportit”, thuhej në të. Një kërkesë, vendimi për të cilën do të merret të enjten ose të premten.

Top Channel