“Dorëheqja e Fullanit, çështje personale”

11/08/2014 00:00

Në një kohë kur reagimi qytetar sa vjen e rritet, duke kërkuar largimin e Ardian Fullanit si guvernator i Bankës së Shtetit, deputeti i LSI-së Spartak Braho merr në mbrojtje guvernatorin, por kërkon largimin e vetëm tre anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës.

Nga selia e Kryesisë së Kuvendit, kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, e cilësoi grabitjen e 7 milionë dollarëve si një ngjarje të rëndë.

Sipas Brahos, nga ballafaqimi i fakteve të deritanishme rezulton se, ndër përgjegjësitë kryesore – dhe kjo në mënyrë kolektive dhe idividuale – është ajo, që ngarkon Këshillin Mbikqyrës të bankës, e shtatë nga 9 anëtarët e tij.
Megjithatë, Braho vuri gishtin tek emrat e tre anëtarëve, që sipas tij duhet të japin dorëheqjen.

“Duke patur parasysh përbërjen e Këshillit, do t’u bëja thirrje personalisht, profesorit të nderuar Adrian Civicit, të nderuarit rektor Dhori Kule, si dhe profesoreshës Meksi, që ndër vite e kemi pasur model të moralit qelibar, të kryejnë apo të bëjnë aktin moral qytetar më të dobishëm për vet ata, por edhe më të justifikuar institucionalisht, që të parët, vet apo në grup, si anëtarë të Këshillit Mbikqyrës, të japin dorëheqjen”, tha Spartak Braho.

Braho u përball me këmbënguljen e gazetarëve, nëse Ardian Fullani duhet të largohet.

“Për mua jo! Nëse ai propozohet vet, apo merr nismën për t’u larguar, ajo është çështje e tij. Dorëheqja është çështje personale e Fullanit. Pezullimi dhe shkarkimi kanë procedurat e tyre”, u shpreh zoti Braho.

Top-Channel e pyeti deputetin Braho, nëse kjo vjedhje në Bankën e Shqipërisë e ka cënuar sigurinë kombëtare. Kjo ishte përgjigja.

“Element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare është edhe siguria financiare e vendit. Për mua, gjatë këtij viti 2013-2014, në dy raste, siguria kombëtare financiare është e cënuar dhe e prekur rëndë.Vjedhjet me anë të skemave mashtruese në sistemin e tatim-taksave, ku llogariten rreth 200 mln euro, dhe vjedhja në Bankën e Shtetit. Dhe për këtë duhet të shqetësohemi të tërë, veçanërisht institucionet”, shtoi kreu i komisionit të sigurisë kombëtare.

Duke marrë në analizë deklarimet e deritanishme të klasës politike për këtë çështje, Spartak Braho u shpreh se ato kanë qenë të pamjaftueshme nga institucioni i Bankës së Shqipërisë.

Si anemike i vlerësoi Braho, reagimet e ndonjërit prej anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës. Ndërsa për qëndrimin e ish-kryeministrit Berisha, Braho tha se ka qenë problematik, pasi indirekt ka marrë në mbrojtje skandalin bankar, që sipas Spartak Brahos është i ngjashëm me reagimin e vitit 1996, për megavjedhjen e firmave piramidale.

Peticioni për shkarkimin e Fullanit
Organizatorët: Braho kërkesën për dorëheqje ta bëjë në Kuvend

Pavarësisht deklaratave të politikanëve për grabitjen e 7.1 milionë dollarëve nga Banka e Shqipërisë, qytetarët kanë vijuar me nënshkrimin e peticionit përmes të cilit kërkohet të mblidhet Parlamenti në një seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani.

“Sot akoma më shumë njerëzit vijnë vetë. Ata janë të interesuar dhe firmosin. Kjo ka bërë që populli të sensibilizohet dhe të shporret kjo klasë hajdutësh”, deklaroi Ajtanga Lubonja, aktiviste e shoqërisë civile.

Ky është reagimi i parë i shoqërisë civile pas deklaratës së deputetit Spratak Braho. “Ne e vlerësojmë sugjerimin që ai ka bërë, por do ishte mirë që këtë kërkesë t’ua përcillte edhe kolegëve deputetë, sepse ky është qëllimi i peticionit: një seancë e jashtëzakonshme e Parlamentit dhe marrja e një vendimi për këtë çështje”, deklaroi Basir Çollaku, edhe ky aktivist i shoqërisë civile.

Sipas aktivistëve të shoqërisë civile, organizatorë të peticionit, numri i atyre që e kanë nënshkruar atë deri tani në të gjithë Shqipërinë shkon në 4 mijë. 

Top Channel