Gjermani, Neuer dhe Low, më të mirët

11/08/2014 00:00

Portieri i Bayern Munchen, Manuel Neuer, është vlerësuar si futbollisti i vitit në Gjermani, çmim ky që e merr për të dytën herë në karrierën e tij futbollistike.

28-vjeçari mori këtë trofe pasi ndihmoi ekipin e tij të fitonte titullin kampion, si dhe trofeun e Kupës së Gjermanisë, sezonin e kaluar, përpara se të thirrej sërish në detyrë për kombëtaren e Gjermanisë, gjatë triumfit të kësaj të fundit në Botërorin “Brazil 2014”.

I vlerësuar me këtë çmim edhe në vitin 2010-11, këtë herë Neuer mori 144 nga 701 votat e hedhura prej gazetarëve gjermanë në një sondazh të organizuar nga revista sportive “Kicker”.

Marco Reus i Borussia Dortmundit u rendit i dyti, ndërkohë që në vend të tretë nuk mund të mos mungonte golashënuesi më i mirë i Gjermanisë në Botëror, Thomas Muller.

“Ky çmim është një nder për mua, – tha Neuer. – Jam gjithashtu i befasuar, pasi nuk e prisja këtë, edhe pse e di shumë mirë që kam pasur performanca shumë të mira, si me klubin edhe me kombëtaren. Kemi fituar Kupën e Botës këtë vit, kështu që ky trofe ka një vlerë të shtuar për mua”.

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Loë, është shpallur trajneri i vitit, duke lënë pas vetes Markus Weinzierl, të Augsburgut, si dhe Josep Guardiolën e Bayernit.

“Është një nderim i madh dhe një moment special në karrierën time të gjatë si trajner futbolli, – shpjegoi Low. – Titulli kampion i Botërorit ishte një përpjekje kolektive, thjesht e marr këtë çmim si një përfaqësues i të gjithëve”.

Top Channel