NBA, James pritet nga 25 mijë “kavalierë”

10/08/2014 00:00

“Objektivi im numër 1 është të fitoj titullin kampion këtu, është gjëja më e madhe që dua të bëj në jetën time. Nuk kam ndërmend të largohem më, pasi nuk i kam më ato energji për të shkuar diku tjetër”.

Këto janë fjalët e para të LeBron James, përpara 25 mijë tifozëve që e kanë mirëpritur në stadiumin e futbollit në Akron, qytetin e tij në Ohio, për festën e organizuar për rikthimin e tij në shtëpi, si lojtar i Cleveland Cavaliers tashmë, pas 4 viteve të kaluara në Florida, me Miami Heat.

“Mbreti”, i cili ka firmosur një kontratë 2-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 42 milionë dollarë dhe me mundësinë për të qenë sërish “lojtar i lirë” në verën e vitit 2015, ka siguruar tifozët e tij se nuk do të largohet më.

“Jam njeri i fjalës së dhënë. E di shumë mirë se çfarë ka ndryshuar në NBA”. James i referohet faktit që gjatë verës së vitit 2016 do të ketë ndryshime në rregulloren e pagave, sipas akordit të ri për të drejtat televizive, ndaj dhe mund të firmosë një kontratë të re dhe më shumë fitimprurëse me Cavaliers.

Top Channel