Nëna me depresion vret me thikë fëmijën

10/08/2014 00:00

Një ngjarje makabre ka tronditur mëngjesin e së dielës banorët e fshatit Godolesh në Elbasan, ku një nënë 26-vjeçare ka vrarë fëmijën e saj 4 vjeç.

Sipas informacioneve të policisë së Elbasanit, shtetasja Nexhmie Dushku ka vrarë me thikë fëmijën e saj me inicialet K.M.

Nëna e të miturit mësohet se vuante nga depresioni dhe pas vrasjes së të birit, ajo ka tentuar të vetëvritet me të njëjtën thikë që kishte kryer krimin monstruoz, por është zbuluar nga të afërmit, që kanë lajmëruar policinë.

Mësohet se 26-vjeçarja është dërguar në spitalin e Elbasanit ku po i jepet ndihma mjekësore, prej nga raportohet se gjendja e saj shëndetësore është e rëndë.

Nga informacionet paraprake rezulton se autorja e krimit kishte tre vjet që ishte divorcuar nga bashkëshorti, i cili jeton në Angli. Prej kohësh mes tyre ka pasur probleme mbi të drejtën e kujdestarisë mbi fëmijën.

Ndërkohë, policia bën gjithashtu të ditur se veç traumës së divorcit, përpjekjet e ish-bashkëshortit për t’i marrë fëmijën kanë ndikuar tek Nexhmije Dukshku, në rëndimin e gjendjes së saj mendore.

Top Channel