Durant shokon Amerikën: Tërhiqem nga Botërori

08/08/2014 00:00

Pas Paul George, i cili pësoi një dëmtim të frikshëm, kombëtarja amerikane e basketbollit humbet edhe një tjetër yll, madje ndoshta më të mirin, përpara Botërorit të Basketbollit në Spanjë, që pritet të fillojë më 30 Gusht, e që do të përfundojë më 14 Shtator.

Kevin Durant, ylli i Oklahoma City Thunder, apo MVP i sezonit të kaluar në NBA, është lideri i destinuar i këtij sezoni për “Team USA”, por ai ka vendosur të heqë dorë nga Kupa e Botës, duke u justifikuar se “ka nevojë për pushim, fizik e psikologjik, për t’u përgatitur për kampionatin e ardhshëm”.

Një njoftim që ka surprizuar të gjithë, duke parë se Kevin Durant shihej me meritë në rolin e liderit dhe “lokomotivës” së yjeve të tjerë të SHBA-ve, siç kishte bërë edhe 4 vite më parë në mungesë të yjeve të tjerë si James, Bryant, Wade dhe Paul, duke çuar i vetëm kombëtaren e tij drejt titullit botëror në Turqi.

“Ishte një vendim i vështirë, sepse për mua është nder të përfaqësoj vendin tim, por kam kuptuar se nuk do të kisha shumë besim në përgjegjësitë e mia. Më duhet të bëj një hap prapa, kam nevojë të pushoj, për të qenë i gatshëm për sezonin e ri të NBA”, është shprehur Durant.

Top Channel