Eurosport: Goditja e parë për Van Gaal

06/08/2014 00:00

Në moshën 43-vjeçare dhe me vetëm 25 vite karrierë mbi shpinë, arbitri anglez Webb ka marrë vendimin e tij: të tërhiqet nga aktiviteti.

Ish-agjenti i policisë së Rotherhamit, i konsideruar nga shumë vetë si më i miri i viteve të fundit, i ka thënë “mjaft” futbollit. E megjithatë, largohet pasi ka marrë shumë kënaqësi prej këtij sporti.

Viti i tij i artë ishte 2010-a, kur ka gjykuar si finalen e Championsit në Madrid, mes Interit dhe Bayern Munchen, ashtu edhe finalen e Botërorit mes Spanjës e Holandës.

Ka gjykuar në Premier League që prej vitit 2003, pas disa vitesh që militonte në seritë inferiore. Në vitin 2005 u bë gjyqtar ndërkombëtar, ndërsa nga 2008-a ka qenë prezent në çdo kompeticion të rëndësishëm të UEFAs dhe FIFAs, përfshi këtu Europianët 2008 dhe 2012, si dhe Botërorët 2010 e 2014. Por, pa harruar edhe Kupat e Konfederatave 2009 dhe 2013.

Në Botërorin e fundit i dha fund këtij profesioni me ndeshjen e 16-sheve (1/8-at) mes Brazilit dhe Kilit. Tashmë do të jetë drejtor teknik i arbitrave në Premier League.

Shumë vetë i kanë uruar “Paç fat Howard”, por Eurosport, një kanal sportiv europian, i ndikuar edhe nga një postim i një përdoruesi të rrjeteve sociale, ka publikuar sot lajmin me një titull ironik në Facebook: “Goditja e parë e rëndë për Louis Van Gaal”.

Top Channel