Këshilli Organizativ i protestave kundër procesit gjyqësor “Monstra” do të padisë policinë, pasi ajo i ka penguar të protestojnë para Qeverisë së Maqedonisë.

Edhe pse protesta e së premtes së kaluar ishte e paralajmëruar, policia i ndaloi protestuesit afër qendrës tregtare “Mavrovasja”, duke mos i lejuar që të shkojnë drejt Qeverisë.

Përfaqësues të Këshillit Organizativ të protestave thonë se u është shkelur e drejta për të protestuar lirshëm, ndaj dhe do të padisin policinë.

“Do të konsultohemi me avokatin dhe, nëse vlerëson se ka vend për padi, do të padisim policinë, ngaqë ajo sërish na ndaloi dhe nuk na lejoi, që të shkojmë te vendi i paralajmëruar”, ka thënë për mediat Bedri Ajdari, kryetar i Këshillit Organizativ të protestave.

Avokati i të akuzuarve në rastin “Monstra”, Naser Raufi, ka pohuar se në këtë rast ka vend për padi.

“Protesta është e garantuar me ligj dhe në këtë rast është shkelur Kushtetuta. Ka vend për padi, është shkelur Kushtetuta dhe e drejta e njeriut”, thotë Raufi.

Ndërkohë, njohës të rrethanave politike në Maqedoni thonë se regjimi VMRO-BDI qëllimisht i bllokon protestat në lagjet, ku dominojnë dyqanet e afaristëve shqiptarë, duke dashur kështu të shtohet revolta e tregtarëve shqiptarë, për shkak të mbylljes së dyqaneve të tyre në ditën e protestave, dhe të nxiten incidente mes vetë shqiptarëve.

Top Channel