Alonso-Ferrari, rinovim 105 mln eurosh

05/08/2014 00:00

Fernando Alonso ka marrë një dhuratë madhështore ditën e 33-vjetorit të tij. Skuadra e Ferrarit i ka ofruar atij një kontratë të re 3-vjeçare, duke filluar që nga 2017 deri në 2019.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja gjermane “Bild”, sipas së cilës, kjo kontratë e re do të shoqërtohet edhe me një pagë prej 35 milionë eurosh në vit, duke shkuar në total 105 milionë euro.

Krahasuar me Schumacherin, i cili në kohët e tij më të mira fitonte rreth 25 milionë dollarë në sezon te Ferrari, duket se fati Alonsos i ka prirë më tepër. Kështu, për momentin, deri në përfundim të kontratës aktuale me skadencë 2016-n, Alonso merr aktualisht 18 milionë dollarë.

Me firmosjen e kontratës së re, duket se sportisti e ka dyfishuar vlerën, duke u ngjitur në një nivel me Roger Federer, i cili fiton 32 milionë dollarë, Kobe Bryant me 36 milionë dollarë, apo LeBron James me 32 milionë dollarë.

Ndërkohë, ka zëra se ndoshta edhe Vettel mund të kalojë te Ferrari. Por, deri më tani, mediat shkruajnë se Vettel e di shumë mirë që Alonso është piloti kryesor, ndaj për të do nuk do të ishte mirë të ndërmerrte këtë hap.

Top Channel