Ecclestone, as fajtor dhe as i pafajshëm!

05/08/2014 00:00

Një gjykatë gjermane ka pranuar t’i japë fund gjyqit për ryshfet ndaj bosit të Formula 1, Bernie Ecclestone, pasi ka marrë si këmbim një pagesë prej 100 milionë dollarësh nga ai.

Oferta e Ecclestone ishte e bazuar mbi një dispozitë ekzistuese në ligjet gjermane. Më herët, gjatë së martës, prokurorët gjermanë pranuan një ofertë nga miliarderi 83-vjeçar, i cili dominon në fushën garave automobilistike.

Ai nisi gjyqin në Prill, i akuzuar se kishte paguar 33 milionë euro ndaj një bankieri gjerman, për t’u siguruar që një kompani e favorizuar prej tij të blinte një pjesë të aksioneve të Formula 1.

Megjithatë, ai nuk e pranoi akuzën dhe mohoi të kishte bërë diçka të jashtëligjshme.

Vendimi i gjykatës gjermane nënkupton që Eccleston do të jetë i lirë tashmë nga gjykata e Mynihut dhe mund të vazhdojë të drejtojë sportin e tij të preferuar. Gjithashtu, vendimi nënkupton se Ecclestone nuk është shpallur as fajtor, dhe as i pafajshëm.

Pasuria e tij private shkon në rreth 4,2 miliardë dollarë, sipas “Forbes”, që e rëndit atë të 12-tin në listën e miliarderëve të Britanisë së Madhe.

Nëse ai do të shpallej fajtor, do të mund të përballej me 10 vjet burgim, si dhe do t’i jepte fund dominancës së tij 10-vjeçare në garat me makina.

Top Channel