Trofeu i parë i Van Gaal me Man. United

05/08/2014 00:00

Manchester United është fitues i “Internacional Champions Cup 2014”, pasi mundi në finale Liverpooli-n me rezultatin 3-1. Ky turne u zhvillua në Shtetet e Bashkuara me pjesëmarrjen e disa prej ekipeve më të mira europiane.

Gjatë sezonit të kaluar ata zhgënjyen në Premiere League duke mos u renditur as në 4 ekipet e para, por këtë fazë përgatitore të sezonit të ri, Manchester United e ka nisur në mënyrën më të mirë, tashmë nën drejtimin e trajnerit të famshëm holandez, Louis Van Gaal.

Liverpool e nisi mjaft mirë ndeshjen duke shënuar në minutën e 14 me anë të kapitenit të tyre, Gerrard, i cili ktheu në gol një 11-metërsh.

Ndeshja do të vazhdonte me këtë rezultat deri në minutën e 55-të, kur Rooney barazoi shifrat, ndërsa vetëm 2 minuta më vonë Manchester United kaloi në avantazh me spanjollin, Mata. Në minutat e fundit do të kishte vend edhe për një gol nga i riu Lingard që u fut në fushën e lojës vetëm pak minuta para golit.

Ky është sezoni i dytë, në të cilin zhvillohet “Internacional Champions Cup 2014”, një vit më parë ai u fitua nga Reali i Madridit.

Top Channel