Serie A, Pjanic i bindur për titullin

04/08/2014 00:00

Miralem Pjanic, mesfushori boshnjak i verdhekuqve të Romës, në Serie A, ka sfiduar të gjithë rivalët në prag të fillimit të sezonit të ri futbollistik.

Ai thekson se objektivi i kryeqytetasve në këtë sezon nuk do të jetë as më pak e as më shumë, veç shpalljes kampionë të Italisë, pavarësisht se ende nuk janë vënë në sprovë, për të parë nëse ekipi verdhekuq është apo jo më i forti në Serie A.

“Do të bëjmë gjithçka për të fituar titullin kampion këtë sezon. Gjatë turneve përgatitorë kemi pasur edhe vështirësi, siç ndodhi ndaj Interit në ‘Guinness Cup’, por mendoj se ka ende kohë për të rregulluar çdo gjë, e për të qenë në 100% të formës. Mendoj se ka ardhur momenti për ta fituar titullin, por të shohim”, ka thënë mesfushori Pjanic.

Edhe pse synojnë majën e futbollit italian, Pjanic e pranon se Juventus ka ende petkun e kampionit dhe do të jetë sërish skuadra për t’u mundur, mbi të gjitha sepse ka fituar 3 tituj radhazi.

“Duhet ta pranojmë që, pavarësisht dëshirës së madhe për të fituar, nuk jemi favoritë për titullin. Mbetet gjithmonë Juventusi, që e meritoi të shpallej kampione e Serisë A sezonin e kaluar, pastaj është edhe Napoli. Por, ne do të jemi aty për ta provuar dhe përgjigjen e saktë do ta japë vetëm fusha e blertë. Qëndrova këtu, sespe besoj te projekti i Romës, te kjo skuadër dhe te trajneri ynë”, tha Pjanic.

Top Channel