Robben kërkon tjetër Champions

04/08/2014 00:00

Holandezi i kampionëve të Gjermanisë, Bayern Munchen, ka bërë të ditur se, përpara se të lërë futbollin, kërkon të fitojë edhe një tjetër Champions me bavarezët.

Duke sjellë në vëmendje golin e fitores kundër Dortmundit, në finalen e kompeticionit më prestigjioz për klube në arenën europiane të vitit 2013, në “Wembley”, si dhe shpartallimin një vit më pas nga Real Madrid, në gjysmëfinalet e 2014-s, Robben duket se ka motivet e duhura për ta ngritur sërish Bayernin në majën e kontinentit të vjetër.

“Sigurisht, dua ta fitoj përsëri trofeun e Champions League. Eshtë ky objektivi më i rëndësishëm që kam në karrierë. Shpresoj të jem në formë, ashtu si në sezonin e fundit, dhe ndoshta mund të përmirësohem në disa aspekte. Dua të arrij gjëra të mëdha me Bayernin. Jam ende i uritur për të tjerë tituj”, deklaroi Robben.

Por, holandezi nuk la pa përmendur edhe rikthimin në skuadër të kolegut të tij, Holger Badstuber, pas një mungese të gjatë si pasojë e dëmtimit në gju, duke thurur lavde dhe duke e inkurajuar më tepër atë.

“Jam më se i lumtur, që Holger është sërish mes nesh, më në fund. Ai është djalë shumë i mirë dhe shok i vërtetë. Pas kaq shumë vuajtjesh, e meriton plotësisht rikthimin në lojë”.

Badstuber ka luajtur për herë të fundit me Bayernin në Dhjetor të vitit 2012, ndërkohë që Bundesliga starton edicionin e ri në fundjavën e 22-23-24 Gushtit, një sezon ku sërish do të shihet një duel Bayern-Dortmund për të fituar titullin kampion.

Top Channel