Në Shkup, edhe këtë të premte është protestuar kundër dënimit të 6 shqiptarëve me burgim të përjetshëm, në rastin gjyqësor “Monstra”.

As shiu nuk i pengoi mijëra shkupjanët, që të protestonin e të kërkonin lirimin e të dënuarve me burg të përjetshëm, por edhe lirimin e protestuesve shqiptarë, që ditë më parë u dënuan me nga 3 vite burg, vetëm pse kishin marrë pjesë në protestat e mëparshme.

Me flamuj kuqezi në duar, policia i ndaloi protestuesit te qendra tregtare “Mavrovasja”, duke mos përfillur lejen që u ishte dhënë organizatorëve të këtyre protestave, që ato të përfundonin përpara godinës së Qeverisë së Maqedonisë.

Në protesta dëgjoheshin brohoritje kundër krerëve të partisë shqiptare në qeveri, BDI-së, dhe dominonin parullat për drejtësi dhe mosdiskriminim të shqiptarëve.

Protestave të sotme, që përfunduan të qeta dhe të organizuara nga Këshilli Organizativ, i përbërë nga familjarët e të dënuarve, iu bashkangjitën edhe personalitete shkupjanë, si ish-deputeti Hysni Shaqiri dhe Idriz Sinani, kryetar i IGFM-Maqedoni.

Top Channel