OMONIA: Të ngrijnë dorëheqjet

01/08/2014 00:00

Kryesia e OMONIA-s i rekomandoi sot PBDNJ-së të ngrijë zyrtarizimin e dorëheqjeve të përfaqësuesve të saj në poste të larta qeveritare deri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të OMONIA-s dhe PBDNJ-së, ku do të vendoset për të ardhmen e bashkëpunimit me koalicionin qeverisës.

Kryesia e organizatës OMONIA që u mblodh në Sarandë denoncoi nëpërmjet një deklarate klimën jodemokratike që, sikurse shprehet, mbizotëroi gjatë diskutimit të reformës territoriale në Parlament, si dhe prapaskenat e ditëve të fundit.

Propozimi për kufijtë administrativë me gjithë amendamentet e përfshira në momentet e fundit nuk plotësuan asnjë nga kërkesat e OMONIA-s për Himarën, Lukovën dhe fshatra të veçanta si Çuka.

“Retorika e kryeministrit në veçanti zbuloi se qeveria vazhdon të mbetet peng e praktikave të shkeljes së të drejtave të njeriut për minoritetet dhe karakterizohet nga mentalitete nacionaliste dhe totalitare të së kaluarës”, shprehet organizata OMONIA.

Kryesia e OMONIA-s deklaroi se mbështet pa asnjë ekuivok qëndrimin e Z. Vangjel Dule, kryetarit të PBDNJ-së, gjatë diskutimit të projektligjit si dhe përshëndet deputetin Vangjel Tavo për pozicionimin e tij, ndërsa shpreh keqardhjen për qëndrimin e deputetëve të tjerë minoritarë.

Top Channel