Arrestohet i nënti për vjedhjen e bankës

01/08/2014 00:00

Ka rënë në prangat e policisë, për llogari të hetimeve të prokurorisë mbi vjedhjen më të madhe të Bankës së Shqipërisë, edhe i nënti i dyshuar se mund të ketë shpërdoruar detyrën.

Bashkim Xhilaga, me detyrë përgjegjës i të dyja sektoreve, edhe i arkës stok, edhe i arkës në veprim, u arrestua pak orë pasi u shpall në kërkim, përgjatë valës së arrestimeve mbrëmjen e së enjtes, ku u ndaluan edhe pesë punonjës të tjerë, ish-kolegë të Ardian Bitrajt dhe Mimoza Bruzias, së bashku me të afërmin e tij, 27-vjeçarin Klevis Bejtjaj.

Prokuroria po vijon hetimet, duke pyetur pranë Policisë së Tiranës të arrestuarit, ndërkohë që ka dërguar materialet e masave të sigurisë në Gjykatën e Tiranës, çka do të thotë që, në fundjavë, ata do dalin para trupës gjyqësore.

Prokuroria pretendon se Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i arkës në veprim, Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim, Lavdim Cani, specialist i arkës stok, Myzejen Belba, specialiste e arkës stok, Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues-operator, dhe Bashkim Xhilaga, përgjegjës i të dyja arkave, me veprimet e mosveprimet e tyre kanë krijuar mundësi për vjedhjen lehtësisht të 713 milionë lekëve, pavarësisht se të dyshuarit kishin për detyrë të rakordonin kartëmonedhat që hynin e dilnin nga arka stok.

Të dyshuarit, në bazë të kqyrjes së kamerave të sekuestruara gjatë hetimeve dyjavore, që startuan me arrestimin e Ardian Bitrajt dhe Mimoza Bruzias, kanë shkelur udhëzimin nr 741 të Marsit 2014 dhe manualet përkatëse të Departamentit të Emisionit, të cilat normojnë veprimtarinë dhe funksionimin e personelit të bankës.

Sipas prokurorisë, vëzhguesi i kamerave Dhimitër Davidi kishte detyrë të mbikqyrte kamerat e të raportonte çdo anomali, por nga kqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se ai i ka parë veprimet e Ardian Bitrajt, teksa ai shfaqet duke mbushur thasë plastikë me kartëmonedha, lëvizte nga ky sektor duke u drejtuar në tualet, ku edhe i fshihte ato në trup, por nuk ka i ka raportuar këto veprime.

Dy specialistët e arkës në veprim, Petrit Ramohitaj dhe Liljana Tusha, kishin detyrë të rakordonin përditë gjendjen e sportelit dhe të koordinoheshin me mbikqyrësin, por ata nuk i kanë ndjekur këto procedura për një kohë të gjatë.

Punonjësit e arkës stok, Lavdim Cani dhe Myzejen Belba, thotë prokuroria, kishin detyrë te ndiqnin lëvizjet e vlerave monetare, që lëvizin nga sportelet te magazinat, si dhe të mbanin nga një çelës për arkën stok, e në fund të ditës ta dorëzonin në kasafortë.

Por, këto veprime nuk janë respektuar nga asnjëri, ndërkohë që të tre çelësat janë mbajtur nga Ardian Bitraj, i cili ka vjedhur i qetë 713 milionë lekë përgjatë 4 viteve të fundit. Klevis Bejtjaj është, sipas prokurorisë, i afërm i Bitrajt, i cili kishte dijeni për veprimtarinë kriminale të 45-vjeçarit. Ai shfaqet në kamerat e sigurisë, duke e pritur Bitrajn jashtë bankës dhe duke e shoqëruar atë me automjet.

Të gjithë të arrestuarit, sipas grupit hetimor, do t’i nënshtrohen njëkohësisht edhe hetimit pasuror.

Top Channel