Basha: Nuk e njohim ndarjen e re

01/08/2014 00:00

Partia Demokratike do të kundërshtojë me të gjitha format ligjore dhe civile ndarjen e re territoriale, pasi – sipas opozitës – ajo rrit pushtetin e qeverisë në dëm të interesave të qytetarëve.

Partia Demokratike e konsideron këtë si hartën e çifligjeve, që, siç thotë kreu i opozitës Lulzim Basha, u miratua me mandate të trafikuara dhe pazare të pista, ku u përfshi edhe PDIU-ja, të cilën nuk e konsideron më pjesë të koalicionit opozitar.

“Reforma e shumë reklamuar u katandis dje në një hartë të interesave të errëta të Edi Ramës, Ilir Metës dhe kujtdo tjetër, që u përfshi për kocka dhe thërrime në këtë farsë. Kjo është torta e çifligjeve të ëndërruara, që oligarkët e shumicës kanë guximin dhe paturpësinë ta shesin në publik, me etiketën falso të reformës administrativo-territoriale. Duke i sfiduar hapur miqtë dhe aleatët me pazaret e ulta, deri kriminale, që bënë në një Parlament, ku bota e krimit përcakton shumicën dhe ka çelësat e vendimmarrjes, dikton kryeministrin dhe ushqehet nga kryeministri për të votuar aktet e tij anti-kushtetuese dhe anti-demokratike”, u shpreh Basha.

Përpara se harta e re e ndarjes territoriale të hyjë në fuqi, ajo duhet të kalojë edhe filtrin e presidentit, nga i cili opozita pret që ta kthejë ligjin në Parlament si antikushtetues.

“Harta antikushtetuese e shumicës Rama-Meta është e papranueshme dhe nuk do të pranohet kurrë. Fjalën e radhës e kanë institucionet e pavarura, që kanë funksionet e gardianëve të Kushtetutës, që janë thirrur sërish në provën e qëndrueshmërisë së sistemit të përhershëm demokratik, përballë akteve antikushtetuese të qeverisë së përkohshme. Fjala e fundit është e qytetarëve, që kanë të drejtë të ngrejnë gishtin e akuzës ndaj qeverisjes oligarkike, që refuzoi t’i pyeste. Kushtetuta i urdhëron t’i pyesë dhe të mos vendosë pa ta”, deklaroi Basha.

TCH: Kur i referoheni institucioneve të pavarura, çfarë prisni? Sepse ju nuk keni dorëzuar ende asnjë qëndrim në Gjykatën Kushtetuese… Apo e keni fjalën që edhe presidenti duhet ta kthejë ligjin e miratuar dje?

“E kam fjalën për të dyja instancat që përmendët”, u përgjigj kreu i opozitës, Basha.

Sipas Kushtetutës dhe Kodit Elektoral, zgjedhjet e ardhshme lokale janë në fund të Qershorit, por tani për tani, kryetari i Partisë Demokratike nuk ka një përgjigje të qartë, nëse forca më e madhe e opozitës do të marrë apo jo pjesë në zgjedhje, nëse harta e re mbetet në fuqi.

“Qëndrimi është i qartë. Harta është e papranueshme dhe ne nuk do ta pranojmë kurrë. Gjithë vëmendja jonë, gjithë energjia jonë tani, është që t’u qëndrojmë në krah qytetarëve, interesat e të cilëve janë nëpërkëmbur. Kjo është beteja jonë, të cilën e nisim sot dhe do ta vazhdojmë deri sa ta fitojmë”, përfundoi Lulzim Basha.

TCH: Pra, ju nuk do të merrni pjesë në zgjedhje?

“E kuptoj që ju doni të dilni aty, ku ne do të dalim por kur të jetë koha. Përgjigja është e qartë dhe nuk besoj se lë vend për interpretime”.

Top Channel