Gaza, dështon armëpushimi 72-orësh

01/08/2014 00:00

Vetëm pak orë nga hyrja në fuqi, marrëveshja për armëpushimin 72-orësh e arritur mes Izraelit dhe Hamasit ka dështuar.

Ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të Gazas se do të rinisë operacionet ushtarake kundër Hamasit duke u kërkuar që të qendrojnë larg militantëve për të mos rrezikuar jetën.

Armëpushimi nisi në 08:00 të së premtes me orën lokale, ora 07:00 me orën tonë.

Arritja e këtij armëpushimi u konfirmua edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga OKB-ja, por vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi u raportuan luftime dhe të dyja palët dolën me deklarata duke akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të pushimit të zjarrit.

Situata në orët e para është normalizuar disi dhe banorët e Gazës e kanë shfrytëzuar rastin për të kontrolluar gjendjen e banesave të tyre nëse ishin dëmtuar nga sulmet ose jo. Por Ministria e Shëndetësisë se Gazës njoftoi se tetë palestinezë u vranë dhe dhjetra u plagosën në një sulm izraelit pranë qytetit jugor të Rafah pas fillimit te armëpushimit.

Burime ushtarake izraelite raportuan për BBC se sulmi ishte përgjigje e një zjarri të mëparshëm me raketa i Hamasit e megjithatë zëra nga Tel Avivi i theksuan Shteteve të Bashkuara dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara  se pavaresisht paqes 72-orëshe, trupa të ushtrisë së tyre do teëvazhdojnë të jenë në qarkullim në Gaza.

Ky veprim duket se ngjall panik te palestinezët pasi i druhen çdo momenti se mos situata përkeqësohet dhe kalon në sulme.

Izraeli e filloi ofensivën e tij në Gaza në 8 korrik dhe deri tani të paktën 1422 palestinezë janë vrarë, shumica prej të cilëve kanë qenë civilë. Gjithashtu edhe 56 ushtarë dhe dy civilë janë vrarë në anën e Izraelit.

Deri tani Izraeli e ka justifikuar ofensivën e tij në Gaza, si një mënyrë për të mbrojtur popullin e tij nga sulmet e militantëve palestinezë.

Në një deklaratë të përbashkët mes Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon thuhej se “gjatë kësaj kohe forcat ushtarake do të qëndrojnë në pozicionet e tyre në terren”.

“Ne i bëjmë thirrje palëve që të veprojnë me përmbajtje gjatë kësaj kohe dhe më pas të respektojnë armëpushimin e arritur, i cili do t’i vijë në ndihmë civilëve të pafajshëm”, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Gjatë armëpushimit, civilët në Gaza do të marrin ndihmë urgjente humanitare, me ndihma ushqimore, gjithashtu do t’i vihet në ndihmë personave të plagosur.

Në deklaratën thuhej gjithashtu se përfaqësuesit e Izraelit dhe të Palestinës do të nisin menjëherë negociatat me qeverinë e Egjiptit, pasi pranuan ftesën e kësaj të fundit.

Top Channel