Për dy javë rresht mbi 115 mijë kosovarë i kanë thënë PO kërkimit të drejtësisë për gratë e dhunuara nga ushtria jugosllave në luftën e fundit.

Peticioni “Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë” ka arritur të mbledhë gjithësej 115 mijë e 759 firma. Me të synohet të kërkohet drejtësi ndërkombëtare për të gjitha ato gra që ishin viktima të dhunës serbe. Ky peticion shumë shpejt do t’i dërgohet OKB-së.

Ndërkohë, zv.kryeministrja Edita Tahiri, njëheresh udhëheqëse e bordit iniciues, tha gjatë prezantimit të të dhënave se tashmë ka dërguar një dokument në BE rreth vazhdimit të dialogut me Serbinë, ku një ndër pikat e saj është diskutimi edhe i çështjes së grave të dhunuara.

“Unë kam dorëzuar dokumentin me temat për fazën vijuese të dialogut. Argumentimin e kam mbështetur në dy koncepte ndërkombëtare. E para janë dëmet e luftës. Sepse kur një shtet bën agresion dhe luftë në shtetin tjetër ka detyrimin të ballafaqohet me pasojat e dëmeve dhe në këtë rast Serbia duhet të ballafaqohet. Dhe çështja tjetër është ajo e të pagjeturve. Të dyja ato janë të përcaktuara në ligjin ndërkombëtar”, deklaroi Tahiri.

Ky peticion do t’i dërgohet Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përkatësisht sekretarit të saj, Ban Ki Moon. Tahiri tha se do të kërkojnë që të bëhet një raport zyrtar për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës, pasi një raport i tillë ka munguar.

“Ne jemi në bisedime me përfaqësuesit e lartë të OKB-së për të parë axhendën e tyre, për shkak të krizave të mëdha ndërkombëtare. Ne tashmë kemi kontaktuar zyrën e Ban Ki Moon, por ai është shumë i zënë me krizat që po kalon bota. Paraprakisht, shtatori na është thënë se mund të jetë koha kur ata mund të na pranojnë. Natyrisht, ne kërkojmë ta takojmë zotin Ban Ki Moon dhe zonjën Bangura, që është përfaqësuese e lartë pikërisht për çështjen e grave të dhunuara gjatë luftërave. Qëllimi ynë është sekretari i përgjithshëm, por në qoftë se ai nuk tregon gatishmëri apo është i zënë, atëherë do të jetë zonja Bangura, me të cilën edhe jam takuar në maj kur isha në Nju Jork dhe kam biseduar në telefon javën e kaluar, sepse ajo është adresa”, tha Tahiri.

Zëvendëskryeministrja në detyrë, më tutje theksoi se raporti zyrtar duhet të rezultojë edhe me mekanizmat ndërkombëtarë për drejtësi, ku duhet të gjykohen dhe të marrin dënimin e merituar të gjithë ata që ishin autorët e genocidit në Kosovë. Peticioni ishte organizuar në të gjitha komunat e Kosovës,  përveç atyre me shumicë serbe.

Top Channel