Hapet tuneli i Elbasanit

31/07/2014 00:00

Tuneli i Elbasanit është hapur në të dyja anët, pas përfundimit të segmentit të tretë të rrugës Tiranë-Elbasan që përfshin pjesën nga dalja e tunelit të Krrabës deri në rrethrrotullimin e Bradasheshit.

“Sot hapen të dy karrexhatat të cilat janë sipas standardit më të lartë të rrugëve që ka Shqipëria si përsa i takon gjerësisë, ashtu edhe elementëve të sinjalistikës dhe të sigurisë”, deklaroi ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.

Për të ruajtur këtë standard, ministri Haxhinasto u bëri apel banorëve të mos dëmtojnë rrugën. Në rast të kundërt, ministri tha se penalitetet për dëmtuesit janë 10-fishuar.

Afati përfundimtar i punimeve për të gjithë rrugën është fundi i këtij viti, pas të cilit ministri tha se do të shihet mundësia e dhënies me konçesion për mirëmbajtjen.

“Mirëmbajtja e rrugëve ka një kosto shumë te lartë dhe ne do të ndjekim praktikat më të mira botërore, duke dhënë me konçesion mirëmbajtjen e rrugëve, sigurisht të rrugëve që janë vizibël që kanë mundësi të vendoset një marrëdhënie e tillë konçesionare. Ndërsa për pjesën tjetër të rrugëve do të vazhdojë i njëjti model që ne kemi sot”, sqaroi Haxhinasto.

Top Channel