Miratohet ligji për Policinë e Shtetit

31/07/2014 00:00

Në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin e shumëdebatuar për Policinë e Shtetit. Pr/ligji në fjalë është votuar fillimisht në parim me 88 vota, ndërkohë
që pas diskutimit të neneve të tij dhe votimit në tërësi, kuota në fjalë
ka rënë në 81.

Një ditë më parë ky draft kishte shkaktuar debate në komisionin e ligjeve, atë të sigurisë, por edhe brenda grupit parlamentar socialist. Këtë të enjte në Parlament, deputetët e këtyre komisioneve kundërshtuan dy propozimet e Ministrisë së Brendshme për dy çështje: atë të gradave në polici dhe shkrirjen e Gardës tek Policia e Shtetit.

Por për çështjen e Gardës nuk foli askush në podiumin e Kuvendit. E teksa rezervat për reformën e gradave u bënë prezent nga Luan Rama, Pjerin Ndreu parashikoi nevojën e rishikimit të ligjit në një kohë të mëvonshme.

“Përsa i përket sistemit të gradave dhe karrierës, pr/ligji jo vetëm që nuk ofron një model efikas, por përkundrazi ofron demotivim për karrierën, sidomos për oficerët e rinj dhe që do të krijojë një polici të plakur”, deklaroi Rama.

“Janë hequr dy grada, që sipas nesh ishin fiktive, jo për të përcaktuar shkallën e meritës së punonjësve të policisë. Ishin grada që për të njëjtët punonjës policie e për të njëjtin volum pune mund të kishte punonjës me grada të ndryshme. Kemi ripërcaktuar filozofinë e sistemit të gradave, meritokracinë dhe rezultatet”, argumentoi ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

“Ju ftoj ta votojmë ligjin edhe pse personalisht mund të kem ndonjë rezervë të vogël, por që unë jam optimist se është vullneti i duhur që në rrugë e sipër gjërat të riparohen”, tha deputeti i PS, Pjerin Ndreu.

Për Gardën mësohet se është gjithashtu dakord që emërimi i komandantit të saj të bëhet nga ministri i Brendshëm, ndërsa rregullimi do të bëhet me një ligj të posaçëm, duke pranuar në këtë mënyrë variantin e komisionit të sigurisë.

Gjatë pasdites, me 89 vota pro, aq sa ishte edhe numri i deputetëve të pranishëm më sallë, u votuan edhe dy ligje të tjera të rëndësishme që kërkonin shumicë të cilësuar, ai për strategjinë e sigurisë kombëtare dhe Kodi i ri Doganor.

Deputeti i LSI-së, Luan Rama kërkoi një ndryshim në ligjin për strategjinë e sigurisë kombëtare, e cila u mbrojt nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Ndërkohë, Kodi Doganor përafron legjislacionin shqiptar në këtë fushë me kodet doganore të Bashkimit Europian.

Top Channel