Axhenda e vizitës së Papës në Shqipëri

31/07/2014 00:00

Udhëtimi apostolik i Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku, që do të zhvillohet në Tiranë në datën 21 Shtator, parashikon një axhendë të ngjeshur, që do të zgjasë plot 11 orë në vendin tonë.

Në orën 7 e 30, Papa Françesku fluturon nga Aeroporti i Fiumicinos drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Tiranë, ku do të zhvillohet një pritje zyrtare nga Kryeministri i vendit, Edi Rama.

Më pas, nën një siguri të rreptë, që mundësohet nga Vatikani dhe shteti shqiptar, përgatitjet për të cilin nisin në muajin Gusht, Papa udhëton drejt Presidencës në kryeqytet, ku do të zhvillojë një takim me presidentin dhe autoritete të tjera të vendit.

Në orën 11, në sheshin “Nënë Tereza”, i cili pritet të transformohet, Papa Françesku do të mbajë meshën e shenjtë para mijëra besimtarëve, që priten të mblidhen atë ditë.

“Mesha e shenjtë, që Papa do të drejtojë, në bashkëkremtim me hierarkët e lartë që do të vijnë bashkë me të, me ata të Shqipërisë, me miq të ndryshëm të ardhur me këtë rast, dhe me të gjithë popullin e hynjtë, përbën momentin kulmor të kësaj vizite. Për ne të krishterët katolikë, eukaristia është burimi dhe kulmi i gjithë jetës së krishterë dhe i gjithë jetës së kishës. Prandaj, për këtë moment janë të angazhuara të gjitha dioqezat dhe famullitë, që të marrin pjesë jo vetëm fizikisht, por edhe me një përgatitje shpirtërore, që do të bëhet gjatë gjithë kësaj kohe në përgatitje”, u shpreh Imzot Rrok Mirdita, arkipeshkvi metropolit i Dioqezës Tiranë-Durrës.

Ndryshe nga vizita të tjera, ku Papa është parë të udhëtojë me makinën e tij të bardhë, këtë radhë bëhet me dije se, në vizitën e tij në kryeqytetin shqiptar, Papa do të lëvizë me një makinë të thjeshtë dhe të hapur, e vënë në dispozicion nga autoritetet vendase.

Në orën 13 e 30 është planifikuar takim dhe drekë me Ipeshkvinjtë shqiptarë në Nunciaturën Apostolike, e më pas takim me krerët e besimeve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Ora 17 shënon kremtimin e lutjes së mbrëmësores me meshtarët, seminaristët dhe lëvizjet laike në Katedralen e Tiranës.

“Qysh në fillimet e pontifikatit të tij, Papa Françesku ka promovuar një kulturë të takimit midis të ndryshmëve. Ka qenë stili i tij, si ipeshkv i Buenos Airesit, të cilin po e shfaq edhe si Papë, në krye të Kishës universale. Në më shumë se një rast, ai ka nxitur këtë kulturë të takimit, në emër të së mirës. Papa Françesku, gjithashtu, vjen edhe për të inkurajuar dialogun ndërfetar që ekziston në Shqipëri, e për të cilën ne jemi krenarë”, tha Imzot Angelo Massafra, arkipeshkv i Shkodër-Pultit.

Fushë Kruja duket se është shndërruar në një qendër të rëndësishme vizitash për autoritete të rëndësishme të huaja.

Ashtu si presidenti amerikan Bush dhe zonja e tij, edhe Papa Françesku do të ndalet aty, pasi në orën 18 e 30 do të vizitojë qendrën Betania, ku do të takojë fëmijë jetimë, që trajtohen në këtë qendër dhe përfaqësi të qendrave të tjera bamirëse.

Në orën 19 e 45, në Aeroportin “Nënë Tereza” do të zhvillohet një ceremoni për largimin e Papës, çka përmbyll vizitën e tij në shtetin shqiptar dhe në orën 20 nis fluturimi i Papa Françeskut drejt Aeroportit të Fiumicinos, në Romë.

Top Channel