Mosmarrëveshja e Mukjes, kur Enver Hoxha tradhtonte luftën

31/07/2014 00:00

Andrea Stefani – Në Shqipëri mbi dy dekada pas rënies së komunizmit ka ende zëra që thurin lavde për diktatorin Enver Hoxha.

Dhe na rrëfejnë se minotauri i diktaturës paska, përveç pjesës prej bishe që ushqehej me njerëz, edhe një pjesë tjetër, të mirë, patriotike dhe të admirueshme. Thonë se dinte të ndërtonte shtet që edhe pse diktatorial, mbetet megjithatë një arritje ende e pakonkurrueshme nga politikanët e paaftë të tranzicionit të sotëm, që edhe pse flasin për “shtet ligjor” kanë mbjellë vetëm kaos dhe antishtet. Kjo rrumpallë e nxjerr diktatorin në dritë, e glorifikon madje, ndjell nostalgji për ato kohë kur kishte “rend” dhe “shtet”. Burgimet dhe internimet, pushkatimet dhe izolimet, tmerri i luftës së klasave, poshtërimi i njeriut dhe gjymtimi i mendjes së tij po shuhen në harresë ndërsa pasiguria dhe ankthi i kohës sonë, imponojnë një bilanc që përqesh lavdinë e përmbysjes së diktaturës me “lavdinë” e diktaturës dhe diktatorit.
 
***
Mos vallë bëmë keq që e përmbysëm, mos vallë në vend të vinim vetulla nxorëm sytë? – krimbi i vjetër i dyshimit ka nisur të gërmojë trutë. Fabrikat, uzinat e amortizuara dhe që u grabitën kafshërisht kur ra komunizmi, edhe pse nuk e qitën Shqipërinë nga bataku i varfërisë, nuk janë zëvendësuar me të reja. Po hidrocentralet që ndërtoi “Ai” a nuk po na japin akoma dritë nga “drita e Partisë”? – të shigjetojnë. Të numërojnë edhe të tjera arritje. Edhe pse dihet që çdo regjim shtypës sjell transformime materiale, shpesh madhështore, të kryera me punën, gjakun djersën e miliona njerëzve të shtypur, ato i faturohen si meritë tiranit. Destruktiviteti që pasoi rënien e komunizmit dhe paaftësia e qeverisjeve të tranzicionit i lehtësojnë rivendikimet e diktaturës dhe diktatorit. Dhe pastaj kur vjen puna për Luftën Nacionalçlirimtare (NÇL), aty nostalgjikët nuk të falin fare. Lufta është shpallur vepër dhe domen i paprekshëm i Enverit. Lufta për “liri”, të cilën diktatori e keqpërdori me mjeshtëri për të hedhur themelet e diktaturës, mbetet diadema që rrezaton nga balli i Minotaurit “lavdi” duke i falur atij statusin e pacenueshëm të “patriotit më të madh” të Shqipërisë. Dhe kori i skllevërve vazhdon t’i këndojë lavdisë së tij.
 
***
Ka sot jo pak shqiptarë që besojnë mitin, e ngulitur për 45 vjet, se ishte Enver Hoxha ai që bëri luftën NÇL. Për ta, të hedhësh poshtë këtë mit, është si të hedhësh poshtë vetë Luftën. Prirja patriarkale për t’ia dedikuar një arritje a realizim epokal një superlideri, një mbinjeriu, qëndron ende solide. Si një piedestal. Një ribotim të kësaj manie primitive e shohim sot te një tjetër mit që lindi pikërisht në orën e rënies së miteve. Te miti se “demokracinë e solli Sali Berisha”. Në fakt, të dy mitet i bashkon një thelb, manipulimi i proceseve historike, i aspiratave patriotike të shqiptarëve nga sharlatanë të shkathët dhe të pashpirt, në funksion të pushtetit dhe sundimit. Enveri përdori mitin e “çlirimtarit” për të mbytur lirinë. Berisha mitin e “demokratit” për të mbytur demokracinë. Të dy kultet janë pjella të një skllavërie mendore ADN-ja e së cilës, e rrënjosur në psikologjinë e turmave, nuk mund të mos pjellë edhe në ardhmëri kulte të tjera lirivrasëse. Prandaj, kritika e kultit dhe mashtrimit enverist me luftën NÇL, është pjesë e përpjekjes për zhvillimin e mendimit kritik që shemb mite e tabu dhe i fal shoqërisë aftësinë për të mos u mashtruar, si për dreq ka ndodhur deri më sot, në udhëkryqet e historisë nga sharlatani i parë që ndodhet aty pranë me bandat dhe turmat brohoritëse që mblidhen përreth. Por njëherazi, ajo është edhe një dedikim për të gjithë ata martirë e dëshmorë të luftës NÇL që dhanë jetën për një ideal lirie që udhëheqësi “Mesia” e tradhtoi ndërsa stërbetohej për “liri”. Është një devocion për aspiratën e asaj sakrifice të tradhtuar, një kurorë nderimi për vetë sakrificën më sublime.
 
***
Jemi në pragun e përvjetorit të asaj mbledhjeje mes Frontit NÇL dhe Ballit Kombëtar (BK) që ka hyrë në historinë e Luftës NÇL si “marrëveshja e Mukjes”. Ka një hipotezë se Enver Hoxha e grisi marrëveshjen e Mukjes i nxitur nga emisarët jugosllavë për shkak se ajo bënte fjalë edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Një hipotezë që nuk mbështetet në një interpretim korrekt të fakteve. Sepse në Mukje, siç pohon edhe historiani Kristo Frashëri, Balli u detyrua të tërhiqej nga kërkesa për t’i dhënë përparësi çështjes së Kosovës dhe jo luftës kundër okupatorit. Në Mukje u ra dakord që çështja e Kosovës të zgjidhej pas luftës në bazë të parimit të vetëvendosjes të garantuar edhe nga Karta e Atlantikut. Prandaj metamorfoza e Mukjes nga marrëveshje në mosmarrëveshje duhet kërkuar më shumë te strategjia e ndjekur nga Enver Hoxha për shfrytëzimin e luftës kundër pushtuesit në funksion të vendosjes së diktaturës. Një strategji antikombëtare që u realizua, hap pas hapi, me anë shpifjesh, terrori dhe një zinxhiri qëndrimesh sektare ndaj të gjithë atyre shqiptarëve, që edhe pse donin të luftonin pushtuesin, refuzonin të hynin nën zgjedhën udhëheqëse të PKSH dhe Enver Hoxhës.
 
***
Dokumentet historikë, madje edhe vetë memuarët e Enver Hoxhës, të japin të kuptosh se “Tarasi” shtirej sikur përpiqej për bashkim të shqiptarëve në luftë kundër pushtuesit pa dallim feje krahine dhe ideje, por në fshehtësi lutej dhe punonte fort që ata me ide të ndryshme nga ato të tijat dhe PKSH, të mos i bashkoheshin luftës. Aq më pak t’i bashkëngjiteshin të organizuar më vete politikisht, duke i hequr PKSH-së ekskluzivitetin e partisë së vetme politike në Front dhe luftë. Të gjithë ata që shfaqnin të tilla prirje “herezie” duhet të stigmatizoheshin si tradhtarë, të terrorizoheshin e deri eliminoheshin. “Të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës sonë, jo kriminelë e kuislingë, ne i konsideronim si armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut”. Kush e ka thënë këtë të vërtetë të përgjakur? Dora vetë, Gogo Nushi, në plenumin e PKSH mbajtur në Berat në prag të çlirimit.
 
***
Kështu konia ourelliane e diktaturës, do kalonte nga kuisja në kafshim që gjatë Luftës. O nën komandën tonë o kundër nesh, edhe kur je kundër pushtuesit! Kjo ishte motoja djallëzore politike e Hoxhës dhe e partisë që krijoi. Fillimisht e kithët, lajkatare me figura patriotike si Kupi, Peza apo Martaneshi, por pastaj, krahas me rritjen e fuqisë, gjithnjë e më arrogante deri edhe terroriste ndaj disa prej të pabindurve prej tyre. Hoxha e dinte se nga zbatimi i kësaj motoje varej kapja e pushtetit pas luftës. Prandaj, sapo bashkimi shndërrohej në një mundësi “Ai” dhe klani i tij, gjenin të gjitha pretekstet që bashkimi të mos ndodhte. Konferenca e Mukjes dhe grisja e marrëveshjes së arritur atje mes Frontit dhe Ballit është rasti më flagrant i kësaj taktike të rritur në arrogancë që, në thelbin e vet, ishte tradhti ndaj Luftës për çlirim. Dhe jo vetëm pse ndikoi në deformimin e luftës në revolucion bolshevik për marrjen e pushtetit dhe hedhjen e themeleve të diktaturës.
 
***
Po përse tjetër? Sepse të obstruktosh, me lloj-lloj pabesish e dredhish, që një pjesë e kontingjenteve patriotike të vendit të mos përfshihen në luftën kundër nazifashistëve, është një aktivitet sabotues që u ka vlejtur vetëm nazifashisteve. Dhe se sa e rëndësishme qe që të gjithë shqiptarët të bashkoheshin në luftë kundër Boshtit e tregon dërgimi i misioneve anglo-amerikane në Shqipëri. Një luftë më masive në Shqipëri do kërkonte më shumë forca gjermane të angazhuara dhe më pak mundësi që Hitleri t’i dërgonte ato në fronte të tjera.
 
***
Po si e dekurajonte Enveri përfshirjen e Ballit dhe forcave të tjera nacionaliste në luftën çlirimtare? Duke ofruar si strategji një paketë të vetme, ku përfshiheshin edhe çlirimi edhe diktatura komuniste. Një aliazh i përçudnuar, ku investimi për çlirimin i shtronte rrugën edhe skllavërisë komuniste. Një strategji që u realizua me një larmi taktikash djallëzore, por të shkathëta. Një nga ato ishte qëndrimi sektar, monopolizimi nga komunistët i udhëheqjes politike dhe ushtarake në Frontin Nacionalçlirimtar. “Ftesat” për bashkim që i bëheshin Ballit kishin premisë jo barazinë e palëve, por kushtin diskriminues, të papranueshëm për çdo forcë politike jokomuniste, që udhëheqjen e Luftës duhet ta kishte ekskluzivisht PKSH. Përveç kësaj, komunistët, me kast nuk e fshihnin në propagandën gojore (por jo në dokumentet e shkruara), gjakimin e tyre për të kryer revolucion bolshevik në Shqipëri, për të përmbysur dhe shpronësuar pikërisht ato klasa, shtresa apo individë që i ftonin për luftë kundër pushtuesit. Një propagandë populiste, që përgjithësisht pëlqehej nga turmat e varfra që përbënin shumicën në Shqipëri. Por edhe tmerronte të kamurit. Në thelb ballistëve, zogistëve, nacionalistëve u thuhej: Ejani të shporrim bashkërisht pushtuesin dhe pastaj do të vijë radha t’ju shporrim ju! E si mundet të bashkoheshin ata me komunistët, domethënë me varrmihësit e tyre të nesërm? Si mund të bashkohesh të luftosh për Atdheun me atë që të kërcënon pronën, madje edhe jetën?
 
***
Proletarët nuk kanë atdhe – shkruan Marksi. Përse? Sepse ishin të zhveshur nga çdo pronë. Identiteti i pronës me Atdheun shfaqet maksimal në këtë thënie të Marksit. Dhe nuk është fjala nëse dikush ka apo s’ka një pronë në një moment të caktuar. Është fjala për lirinë për të pasur një pronë e bashkë me të, edhe shumë nga liritë e tjera të njeriut. “Nga pikëpamja e lirisë, prona është mishërimi i parë i lirisë” – thoshte Hegeli. Këtë tezë që e sheh pronën si themel të lirisë nuk e ka hedhur poshtë as vetë Marksi. Hiqmi liritë e mia, dhe nga Atdheu do mbetet vetëm një burg që nuk mund të mos e urresh. A nuk u shndërrua Shqipëria në një burg të madh të izoluar nga bota? Nëse nuk e pranojmë këtë, atëherë edhe të gjithë ata që arratiseshin nga ky burg ishin tradhtarë të atdheut. Edhe ata që u ngritën në vitet ’90 kundër komunizmit!
 
***
Enveri dhe klani pranë tij, ftonin të luftoje për një Atdhe që, po sipas Marksit, për ta nuk mund të ekzistonte. Por ata nënkuptonin një tjetër “Atdhe”, që lakmonin ta sundonin siç e sunduan. Veç kush kishte dije dhe aftësi për të mos u mashtruar nga sipërfaqja, sloganet e rreme apo shkuma e proceseve politike, e kish tepër të vështirë, në mos të pamundur, të mos e tradhtonte atë “Atdhe”. Gjithsesi, nacionalistët u vunë kështu para një ekuacioni që s’ditën ta zgjidhin. Ata nuk mund të luftonin realisht për Atdheun pa luftuar edhe për “Atdheun” kallp bolshevik që po fanepsej në horizont. Kështu ndodh sa herë që gjeniu i së keqes depërton në zemër të së mirës, duke u bërë një me të. Në këtë rast t’i nuk lufton dot për të mirën pa ushqyer edhe të keqen që rritet bashkë me të mirën, si një kancer që do t’i përhapë metastazat vdekjesjellëse më vonë. Ose duhet të refuzosh të investohesh edhe për të mirën. Të abstenosh? Por si i bëhet kur edhe abstenimi stigmatizohet tradhti nën moton “o me ne o kundër nesh”?! Praktikisht, Enver Hoxha i dënoi rivalët e tij politikë me tradhti ndaj Atdheut që në kohën e Luftës. Këtu qëndron gjenialiteti i tij i zi. Prirje që do ta zhvillonte mjeshtërisht me dekada të tëra edhe kundër shokëve të tij më të afërt të Luftës, që do t’i bënte kurban, të damkosur si “tradhtarë të Atdheut”, në emër të një tradhtie më të madhe, sundimit të Atdheut.
 
***
Sektarizmi i Hoxhës gjatë luftës nuk ishte një gabim siç edhe vetë Enveri pranon me gojën e tij në Plenumin e PKSH-së në Berat. Sektarizmi qe një taktikë e llogaritur me një saktësi cinike, që mjerisht i dha rezultatet që Hoxha priste. Thirrja që i bëhej Ballit për bashkim dhe luftë ishte në të vërtetë alibia e gjakimit dhe përpjekjeve të fshehta për ta sabotuar përfshirjen e Ballit në luftë, me propagandë, shpifje deri edhe terror. Vetë Enver Hoxha ka pranuar në plenumin e Beratit se “…Mukjen ne e morëm për një gjë formale, ku do të venim më tepër t’i thoshim të katër të vërtetat në fytyrë Ballit dhe të lanim duart para popullit për veprimet që do bënim më vonë”. Pra, Enveri i dërgoi shokët në Mukje, jo me dëshirën e sinqertë për marrëveshje e bashkim kundër pushtuesit, por për të “larë duart” si Pilati për kryqëzimin e rivalëve politikë që përgatiste. Mukja do qe alibia e luftës civile, që Enveri kish planëzuar kundër Ballit, në mënyrë që të kishte të spastruar, pa pengesa, rrugën drejt pushtetit diktatorial bolshevik.
 
***
Kristo Frashëri, ndërsa e cilëson me të drejtë grisjen e marrëveshjes së Mukjes si një akt të padenjë të PKSH, shton se Enveri bëri gabim që nuk shkoi vetë në Mukje, për t’u përballur me Mit’hat Frashërin dhe kapacitete të tjera që përfaqësonin Ballin. Frashëri mendon se vendimet që morën në Mukje ishin rrjedhojë e epërsisë kulturale të delegacionit të Ballit. Sipas tij, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi dhe Gogo Nushi shquheshin më tepër si masovikë dhe jo për kulturë politike e shkencore, ndërkohë që Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Ali Këlcyra dhe Thoma Orollogai ishin “katër kokat më të përgatitura nga pikëpamja politike, juridike dhe diplomatike”. Por pavarësisht nga kjo, na duket se e vërteta ka qenë krejt tjetër. Enveri nuk ishte nga ata që neglizhonin kollaj momente të tilla kyçe. Ai nuk shkoi në Mukje me kast. Aty ku Frashëri shikon një gabim, ka pasur, me shumë gjasa, një kalkulim nga gjeniu i së keqes, që vështirë se gabonte kur qe fjala për pushtetin.
 
***
“Mos harro kurrë se Partia jonë është e do të jetë kurdoherë organizatorja dhe udhëheqësja e Luftës Nacionalçlirimtare” – e porosiste Ymer Dishnicën me ngulm Enver Hoxha, para se ta dërgonte në Mukje. Preferonte të mos shkonte vetë, sepse e dinte që një person si Mit’hat Frashëri nuk mund të pranonte të udhëhiqej për hunde nga Enveri apo nga PKSH. Enveri e dinte se po të shkonte në Mukje, do ta kish të vështirë të gjente një alibi të gëlltitshme për mosarritjen e bashkimit për luftë kundër nazistëve, që e aspironin shumica e shqiptarëve, jo vetëm në Frontin Nacionalçlirimtar. Në atë rast nuk do të kishte një alibi për përçarjen. Por, duke dërguar të tjerë në Mukje, linte të hapur për çdo rast shtegun e dhelprës prapa strofullës, mundësinë e grisjes së marrëveshjes me pretekstin se delegacioni i PKSH tradhtoi Partinë dhe “Atdheun”, që në kokën e tij qe një me Partinë!
 
***
Enveri shprehte bindjen se Balli nuk do të luftonte kundër nazistëve gjermanë. Edhe ky ka qenë një mashtrim. Logjika e ngjarjeve të sugjeron se ai kishte frikë pikërisht për të kundërtën, përfshirjen e Ballit në luftë kundër pushtuesit. Ndryshe nuk do ta kishte grisur marrëveshjen që shpallte aleancën e Frontit dhe Ballit në luftën kundër okupatorit të huaj. Nëse vërtet do qe i bindur se Balli nuk do luftonte, Enveri do mjaftohej të priste që koha të faktonte tradhtinë e Ballit. Por pikërisht frika se tradhtia nuk do ndodhte e bëri Enverin të nxitonte për ta grisur marrëveshjen dhe denoncuar “tradhtinë”. Enverit i duhej jo bashkimi, por tradhtia e Ballit. Shqyerja e marrëveshjes qe një tjetër akt arrogant dhe i hapur, në strategjinë e menduar dhe zbatuar edhe më parë, thuajse fshehtazi, të sabotimit të luftës së Ballit dhe gjithë forcave të tjera nacionaliste dhe patriotike, që nuk kontrolloheshin nga PKSH.
 
***
Grisja e marrëveshjes së Mukjes nga Hoxha e bëri të pamundur bashkimin dhe ishte kambana e luftës civile. “Kjo ishte pika në të cilën lufta civile ndërmjet Frontit NÇL dhe BK u bë e sigurt dhe e pakthyeshme”, shkruan britaniku Rexhinald Hibert në librin e tij “Fitore e Hidhur”. I fokusuar te çështja e marrjes së pushtetit absolut, Enver Hoxha u investua qëllimisht kundër zgjerimit të Frontit me më shumë forca patriotike. Dhe me këtë u bëri një shërbim të madh pushtuesve nazistë. “Shërbimi më i madh që mund t’i bëjë armikut kushdo në vendin tuaj, është të nisë një luftë civile” – i shkruante ca kohë më vonë Enverit gjenerali Uillson. Duke pasur për “Nord” jo çlirimin e Atdheut, por rrëmbimin e pushtetit nën maskën e luftës për çlirim, Enveri ia bëri këtë shërbim pushtuesit. Pas Mukjes, që shënon kulmin e divergjencës me Ballin, ai eci me vendosmëri drejt luftës civile për të realizuar atë që gjithë jetës e mburri si trajtim krijues të teorisë marksiste leniniste, shndërrimin e Luftës Nacionalçlirimtare në një revolucion bolshevik. Dhe te ky sektarizëm (në fakt jo vetëm kundërpatriotik por, për hir të së vërtetës, edhe antimarksist) që me kalimin e ditëve u intensifikua deri në terror ndaj antikomunisteve, që jo vetëm s’kishin bashkëpunuar me pushtuesit nazistë, por kishin luftuar kundër tyre, duhet kërkuar edhe një nga shkaqet kryesore për paralizimin e luftës kundër pushtuesit të disa forcave jokomuniste.
 
***
Në një moment dobësie politike, vetë Enver Hoxha, por edhe bashkëpunëtorë të tij besnikë si Hysni Kapo e Manush Myftiu, kanë pohuar kryerjen e akteve terroriste dhe goditjet me armë prapa shpine të elementeve nacionalistë të pavarur nga PKSH. “Ka pasur grindje për punën e Cen Elezit dhe atë të Muharrem Bajraktarit, të cilit i kemi kërkuar të jetë o me ne, o kundër nesh, megjithëse ka dashur të luftojë”, pohonte edhe Hysni Kapo. Edhe Manush Myftiu pranon ekstremizmin ndaj Muharrem Bajraktarit, që refuzoi të futej në Front, por deshi të luftonte jashtë tij kundër pushtuesit. “Ky qëndrim i rrezikshëm na e forcoi bindjen për ta zhdukur… Ne e goditëm Muharrem Bajraktarin prapa krahëve… kemi hedhur trakte, ku kemi dashur të tregojmë se Muharrem Bajraktari është tradhtar dhe se ai na goditi përpara”. E gjithë kjo strategji kriminale dhe mashtrimi me gënjeshtra të turmave, pasojat e së cilës shfaqen edhe sot si idhujtari për “Komandantin legjendar”, bëhej që pas luftës tirani “Çlirimtar” të ishte i vetëm me partinë e tij, pretendent për pushtet.
 
***
Te ky sektarizëm i përgjakshëm përçarës (më thoni një Cezar që ka ardhur në pushtet pa divide et impera) duhet kërkuar jo vetëm një nga shkaqet kryesore të paralizimit të luftës së forcave antikomuniste, por madje edhe kuturisja e dëshpëruar e disa segmenteve të tyre për të kërkuar shpëtim nga diktatura bolshevike që po nxirrte dhëmbët, duke bashkëpunuar me forcat pushtuese të diktaturës naziste. Aleanca me Mefistofelin nazist në vdekje e sipër, iu duk më shpëtimtare se aleanca me djallin stalinist që ofronte pa ekuivok një diktaturë që, siç provoi koha, zgjati thuajse gjysmëshekulli. Me një gjenialitet djallëzor, Enver Hoxha bëri që lufta kundër pushtuesit të ishte njëherazi edhe investim ushtarako-politik për pushtetin komunist, që me demagogji e shpallte si të “popullit”. Ai e eliminoi çdo mundësi për një bashkim dypalësh në luftë dhe që do të kishte çuar pas saj në një konkurrencë politike pluraliste demokratike për pushtet. Ai i vuri kundërshtarët antikomunistë para dy alternativash tradhtie: Ose të investoheshin për sundimin komunist (një tradhti më vete kjo), duke zhvilluar një luftë patriotike, ose të tradhtonin luftën për të parandaluar sundimin komunist. Pra, mos ta tradhtonin Atdheun sot në emër të një tradhtie më të madhe nesër, apo ta tradhtonin sot për të mos e tradhtuar nesër? Kjo ka qenë dilema hamletiane e ballistëve, zogistëve dhe jokomunistëve. Alternativa e tretë, një luftë edhe kundër gjermanëve edhe kundër komunistëve ofronte, për shkaqe që nuk mund të analizohen këtu, qartazi një disfatë. Por do të ishte një rënie me lavdi. Një sakrificë sublime për çlirimin, por edhe për lirinë që do sakrifikohej nga “çlirimtari” minotaur në emër të çlirimit. Liderët e Ballit nuk u ngjitën dot në lartësinë e këtij heroizmi. Ata vendosën të tradhtojnë luftën, për të mos ushqyer kancerin antiliri që rritej në zemër të saj. Ranë në kurthin e tradhtisë që përgatiti monstra që ushqehej me tradhtinë. Pastaj, përbindëshi u fuqizua aq shumë sa nuk mund të mos shqyente atë që u premtonte shqiptarëve: lirinë e shqiptarëve!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel