Shembet hyrja e tunelit të HEC-it

31/07/2014 00:00

Policia e Lezhës vijon hetimet mbi ngjarjen e rëndë në tunelin e HEC-it të Qafë Mollës, në Mirditë, ku 3 shtetas, dy shqiptarë dhe një turk, humbën jetën në rreth 2000 metra thellësi.

Viktimat; Ndue Legisi, rreth 50 vjeç, Pjetër Doda, rreth 38 vjeç, dhe një punëtor turk me emrin Hasan; po punonin për të vendosur lëndën shpërthyese, për të vijuar më tutje punën në njërin nga tunelet, kur një masiv dheu është shkëputur, fillimisht duke zënë poshtë njërin nga viktimat, ndërsa dy personat e tjerë shkuan për të shpëtuar kolegun, kur është shkëputur dhe një tjetër masë dheu, duke shkaktuar edhe tragjedinë.

E gjithë kjo histori e rëndë është parë nga mashinisti, i cili ka rrëfyer ngjarjen.

“Ngjarja ka ndodhur pasi kam dorëzuar turnin në orën 7, kanë ardhur shokët e mi për të bërë plasjen, kanë hyrë brenda për këtë, por një sasi dheu nga mali është shkëputur. Si rregull ne e kemi t’i bëjmë me harqe, por kjo firmë, të cilës nuk dua t’i përmend emrin se është një firmë banale, nuk bëri punën që duhej të bënte. Faji është i gjithi i inxhinjerit dhe atij përfaqësuesit të firmës”, shprehet mashinisti.

Për ndërtimin e HEC-it të Qafë Mollës punojnë afro 3000 punojës, kryesisht nga Mirdita, Puka dhe Kukësi, ndërsa nuk kanë munguar gjatë gjithë këtyre kohëve protestat e banorëve të Mirditës për shpronësime dhe kushte të vështira të punës.

Top Channel