BE publikon emrat e të sanksionuarve

31/07/2014 00:00

Komisioni Europian publikoi emrat e 8 rusëve, përfshi edhe ndihmësit kryesorë të presidentit Vladimir Putin, si dhe 3 kompanive, të cilëve do t’u ngrihen asetet financiare, si pjesë e sanksioneve të vendosura kundër veprimeve të Rusisë në Lindje të Ukrainës.

Personat në “listën e zezë” janë Arkady Rotenberg, i cili është partner prej kohësh i Putinit në lidhje me sportin e xhudos, i cili është vendosur gjithashtu në “listën e zezë” të amerikanëve që prej muajit Mars.

Yury Kovalchuk dhe Nikolai Shamalov, dy aksionerët më të mëdhenj të Bankës së Rusisë, një kompani në Shën Pjetërburg, e cila u zgjerua me shpejtësi pasi Putin mori pushtetin duke u bërë president në vitin 2000, janë sanksionuar gjithashtu.

Mes kompanive janë edhe Banka Kombëtare e Tregtisë Ruse, e cila ishte e para bankë ruse që hyri në Krime, pas aneksimit të rajonit nga Moska, në fillim të këtij viti.

Dy firmat e tjera janë prodhuesit e armëve kundërajrore, Almaz-Antey dhe linja ajrore Dobrolyot, e cila operon me fluturime nga Moska drejt Simferopolit në Krime.

Tensionet mes Moskës dhe Perëndimit, për shkak të mbështetjes ruse ndaj rebelëve në Ukrainën lindore, janë përkeqësuar ndjeshëm, sidomos pas rrëzimit të avionit malajzian MH17 mbi territorin e zotëruar prej rebelëve, më 17 Korrik, nga ajo që Perëndimi akuzon se ndodhi prej goditjes së avionit me një raketë tokë-ajër të furnizuar prej Rusisë.

Lista e emrave të së mërkurës e çon numrin e individëve dhe entiteteve të sanksionuara, me ngrirje asetesh dhe ndalim fluturimi, në 95 persona dhe 23 organizata.

Top Channel