SHBA, Obama në gjyq?

31/07/2014 00:00

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e kontrolluar nga republikanët, i dha dritën jeshile rezolutës, që autorizon fillimin e veprimeve ligjore ndaj Presidentit Obama, mbi bazën e pretendimeve se ka tejkaluar kompetencat e tij.

225 votat pro, ndaj 201 që ishin kundër, i hapin rrugën hartimit të dokumenteve ligjore për fillimin e një procesi gjyqësor. Mbështetësit e nismës argumentojnë se, ndër të tjera, Obama kapërceu autoritetin e tij ekzekutiv, kur shtyu afatin e sigurimeve të aktit “Affordable Care”.

Vetë presidenti pretendon se e gjithë kjo çështje është thjesht humbje kohe. Kushdo mund ta shohë se bëhet fjalë thjesht për një marifet politik, është shprehur ai. Kemi ndërmarrë mbi 40 veprime, që synojnë t’u vihet në ndihmë familjeve në vështirësi. Kjo është koha kur ne veprojmë, por Kongresi jo.

Rezoluta e aprovuar në Dhomën e Përfaqësuesve përbën të parën herë që, qoftë ajo vetë, apo Senati, ndërmarrin një aksion ligjor kundër një shefi të Shtëpisë së Bardhë, në lidhje me ligjshmërinë e pushtetit të tij, edhe pse anëtarë të veçantë të Kongresit kanë ngritur dhe më parë padi kundër presidentit.

Republikanët ankohen se Obama e ka tejkaluar në disa raste autoritetin e tij kushtetutes, në mënyrë që të anashkalonte Kongresin, me lëshimin e urdhrave ekzekutivë. Ndër të tjera, përmendet vendimi i tij i njëanshëm për deportimin e disa të rinjve klandestinë, si dhe shkëmbimin e të burgosurve që çoi në lirimin e një ushtari amerikan, të mbajtur peng prej talebanëve për 5 vjet.

Më herët, Senati votoi për fillimin e debatit mbi ligjin, që autorizon fondet për strehimin dhe fillimin e shqyrtimit të çështjeve për dhjetra-mijëra fëmijë pa dokumente nga Amerika Qendrore.

Por nisma, megjithatë, nuk ka gjasa të marrë dritën jeshile në Dhomën e Përfaqësuesve, me shumicë republikane, e vështirë se mund të merret një vendim përpara se ligjvënësit të largohen për një periudhë 5-javore pushimi.

Padia i paraprin fushatës para zgjedhjeve të nëntorit, të cilat do të përcaktojnë kontrollin politik të Kongresit për vitin e ardhshëm.

Top Channel