Fullani: S’kam përgjegjësi ligjore

30/07/2014 00:00

Pak orë pas raportimit në Kuvend, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi se grabitja në Bankën e Shtetit është një ngjarje e rëndë, për të cilën përgjegjësit do të përgjigjen para dyerve të drejtësisë.

“Në asnjë mënyrë nuk ka rënë sistemi i kontrollit, natyrisht kjo është një ngjarje e rëndë, që na ngarkon me përgjegjësi të gjithëve. Ne po nxjerrim përgjegjësitë tona, e rëndësishme është se nuk ka shkelje ligjore nga ana e Këshillit Mbikqyrës dhe administratorëve. I gjithë seti legjislativ dhe rregullativ është i plotë dhe siguron administrimin, sipas të gjitha ligjeve, të Bankës së Shqipërisë. Ka ceduar elementi njerëzor, që do të dënohet, me ata që janë dërguar dhe njëkohësisht me gjithsecilin, që ka bërë gabim në shkeljen e ligjit. Do dënohen sipas ligjeve në fuqi”, tha Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Fullani tha se, pavarësisht përmasave të mëdha, kjo ngjarje nuk hedh poshtë reputacionin e fituar nga institucioni që ai drejton, veçanërisht gjatë tetëvjeçarit të krizës financiare.

“I gjithë ky reputacion, i marrë në vite nga Banka e Shqipërisë, që në themelimin e saj, ky institucion solid me një staf mjaft të përgatitur, ku nuk kanë munguar dhe elementë të tillë keqbërës, që ekzistojnë kudo pa justifikuar asnjë, por në asnjë mënyrë ato nuk mund të cënojnë emrin, reputacionin, soliditetin, aktivitetin e Bankës së Shqipërisë, të Këshillit Mbikqyrës, të guvernatorit, administratorit dhe strukturave të saj” tha Ardian Fullani.

Guvernatori tha se institucioni që drejton po bashkëpunon me organet hetimore për zbardhjen e ngjarjes dhe garantoi se do të merren masa, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

BSH: Kërkohen politika stimuluese
Fullani: Ka ringjallje ekonomike, por ende disa risqe

Guvernatori prezantoi edhe raportin periodik të Bankës së Shqipërisë, ku vërehen shenja të ringjalljes ekonomike, por që ende i duhet të përballet me disa rreziqe.

“Burimet e rritjes nuk janë ende të qëndrueshme, ekonomia shqiptare është mjaft e ndjeshme ndaj goditjeve të ofertës, parashikimet tona janë të kushtëzuara nga ndjekja e kurseve të programuara të politikave makroekonomike, që duhet të vijojnë të jenë të jenë të kujdesshme, në vendosjen e balancës mes stimulit afatshkurtër dhe ekuilibrave afatmesëm e afatgjatë. Së fundi, ecuria ekonomike do të varet nga përshpejtimi i reformës strukturore, si në nivel makro, ashtu edhe në nivel mikroekonomik”, tha Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%.

Top Channel