Fyen Berishën, shkarkohet diplomati kosovar

30/07/2014 00:00

I dërguari më punë në Ambasadën e Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti është thërritur në Prishtinë pas deklaratës ofenduese në drejtim të ish-Kryeministri Sali Berisha.

Xhaferi publikoi në profilin e tij në rrjetin social Facebook komentin: “Ky njeri nuk është normal. Çuditem se si ka mundesi të duhet ky psikopat nga një pjesë e shqiptarëve të Kosovës. Por, edhe nuk duhet të çuditem, se shumë rrallë populli i Kosovës mendon me logjikë, mendim kritik dhe aftësi gjykuese. Dëshmitarë jemi edhe tani”.

Menjëherë pas bërjes publike të kësaj deklarate të dhënë në rrjetet sociale, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thërritur në Prishtinë diplomatin Ahmeti ku dhe i është komunikuar shkarkimi.

Më vonë në një deklaratë tjetër Ministria e Jashtme e Kosovës kërkon ndjesë dhe shton se këto qendrime nuk përfaqësojnë qendrimet e institucioneve të Kosovës.

“Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka marrë vendim për kthimin e menjëhershëm në Prishtinë të të ngarkuarit me punë të Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti pas komenteve të tij në rrjetet sociale të cilat nuk korrespondojnë me rregullat diplomatike dhe sjelljet e një diplomati. Komentet e tij nuk paraqesin qendrimet e institucioneve të Kosovës”.

“Ministri Hoxhaj personalisht dhe i tërë populli i Kosovës i janë mirënjohës ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për kontributin e tij të madh për Kosovën”, tha për Top Channel këshilltari i Ministrit Bashmir Xhemaj. 

Top Channel