Rusia: Sanksionet do rrisin çmimin e energjisë

30/07/2014 00:00

Ministria e Jashtme ruse ka bërë të ditur, gjatë së mërkurës, se sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian për shkak të krizës në Ukrainë do të çojnë “në mënyrë të pashmangshme” në ngritjen e çmimit të energjisë në Europë.

“Duke vazhduar me këtë fushatë sanksionesh, Brukseli, me vet dëshirën e tij, po krijon barriera për bashkëpunimin e mëtejshëm me Rusinë në një fushë tepër të rëndësishme, si ajo e energjisë. Ky është një hap i pamenduar dhe i papërgjegjshëm. Në mënyrë të pashmangshme, do të shkojmë drejt një rritjeje të çmimeve në tregjet europiane për energjinë”, shkruhej në deklaratën e ministrisë.

Rusia nisi kundërpërgjigjet e saj gjatë së mërkurës, kundrejt sanksioneve të BE-së dhe SHBA-ve të vendosura për shkak të ndikimit në Ukrainë, ku luftimet mes rebelëve pro-rusë të mbështetur nga Moska dhe trupave qeveritare janë intensifikuar që prej rrëzimit të avionit malajzian.

Përballja më e keqe mes Moskës dhe Perëndimit ka hyrë këtë javë në një fazë të re, që kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian vendosën të ndërmerrnin hapat më të ashpra ndërkombëtare kundër Moskës, si kundërpërgjigje e mbështetjes së saj ndaj rebelëve në Ukrainë.

Sanksionet e reja të BE-së dhe SHBA-ve, të njoftuara të martën, ndalojnë shitjen e armëve dhe pajisjeve të industrisë së naftës, ndërkohë që edhe bankat shtetërore ruse e kanë të ndaluar të shtojnë paratë në tregjet perëndimore të kapitalit.

Moska i quajti sanksionet “destruktive dhe miope”, e shtoi se Europa dhe Shtetet e Bashkuara do të vuajnë. Të mërkurën, Rusia ndaloi importin e frutave dhe perimeve polake, ndërsa paralajmëroi se do të zgjeronte ndalimin e importeve për të gjithë BE-në. Ndëkohë, bankat ruse thanë se do të kërkonin financime në Azi. “Novatek”, një kompani e fuqishme e gazit rus, e cila bashkëpunon me firmën franceze “Total”, tha se po studion impaktin e sanksioneve ndaj bashkëpunimeve të saj ndërkombëtare.

Sanksionet e reja të Perëndimit shënojnë herën e parë që Uashingtoni dhe Brukseli adoptojnë masa të përbashkëta, të dizenjuara për të dëmtuar ekonominë në përgjithësi të Rusisë, pas javëve të tëra hapash të zbehta, të cilat shënjestronin vetëm individë specifikë, si fajtorë të politikave ruse mbi Ukrainën.

Top Channel