Partia Demokratike ka nisur procesin zgjedhor edhe në Tiranë, por këtë herë zona më e mdhe e vendit, që çon në parlament 32 deputetë është organizuar në një formë të re.

Tirana nuk do të ketë më 1 kryetar, por do të ketë 11 të tillë, një për secilën njësi bashkiake, pasi sipas kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, kjo mënyrë e ndryshme e riorganizimit pritet të jetë më efikase në raport me marrëdhëniet me qytetarët.

“Duke bërë këtë riorganizim të Partisë Demokratike në Tiranë në 11 degë ka për qëllim për të qenë më afër anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, për të qenë më afër qytetarëve, për t’i marrë vendimet tona të brendshme politike sa më afër anëtarësisë tonë, me sa më shumë përfshirje të anëtarësisë tonë, se pushtetin për vendimarrje në Partinë Demokratike, dita-ditës po e afrojmë dhe po ua delegojmë anëtarëve të PD-së”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike beson se ringritja e forcës më të madhe të opozitës do ta ndihmojë atë të përballet më fort dhe më mirë me qeverinë, të cilën e cilësoi si qeverinë e parrullave propagandistike që mashtroi shqiptarët dhe vazhdon t’i gënjejë nëpërmjet reklamave.

“Sot asnjë premtim i tyre, asnjë i vetëm, jo vetëm që nuk është mbajtur, por nuk është as në rrugën e mbajtjes. I plasi një tullumbace elektorale, i mashtrimeve për legalizim falas e për shëndetësi falas, për 300 mijë vende pune e për ulje çmimesh përmes heqjes së taksave e përmes heqjes së TVSH-së për energjinë. Papunësia rritet, borxhet rriten, taksat rriten, ekonomia bie, bizneset mbyllen, mjeshtrat e propagandës krihen me iluzionin e fanarit ndriçues. Investimi kryesor i tyre, siç e shihni janë reklamat, qeverisja e këtij vendi është shndërruar në agjenci reklamash”, deklaroi Basha.

Me hapjen e procesit zgjedhor në Tirane, kreu i PD ka ushtruar edhe vetë të drejtën e votës në njësinë numër 8,  ku edhe ka votuar për zgjedhjen e kryetarit të njërit prej grupseksioneve, një rast ky për të vënë në dukje se në Partinë Demokratike vendimarrja do të jetë vetëm përmes votës së lirë dhe e padiktuar nga askush. 

Top Channel