Krerët e agjencive në prokurori

30/07/2014 00:00

Për shkak të postit që mbajnë dhe në cilësinë e personave që mund të hedhin dritë mbi hetimet, tre zyrtarë të lartë janë thirrur për t’u pyetur në Prokurorinë e Tiranës, mbi skandalin më të madh të Bankës së Shqipërisë, nga e cila u tërhoqën përgjatë katër viteve 713 milionë lekë.

Duke qenë se i arrestuari Ardian Bitraj vijon të këmbëngulë se lekët e marra prej tij i ka shpenzuar në lojrat e fatit dhe në pika bastesh, ishin në prokurori drejtoresha e përgjithshme e Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, Luneda Sufali dhe drejtori operativ i të njëjtit institucion Enis Tushi.

Sipas burimeve jozyrtare, Sufali dhe Tushi janë pyetur për mënyrën se si janë mbajtur regjistrat për subjektet ku i dyshuari Bitraj ka rrëfyer se ka shpenzuar paratë e grabitura të Bankës së Shqipërisë dhe nëse janë kontrolluar apo verifikuar të ardhurat dhe fitimi i këtyre subjekteve në rrugën “Fortuzi”. Pyetja e tyre vjen në kohën kur ekspertët pritet të kthejnë përgjigjje mbi kompjuterat e sekuestruar në lagjen e Bitrajt.

Ndërkohë, në prokurori ishte po ashtu edhe drejtori i përgjithshëm i Parandalimit e Pastrimit të Parave, Genti Gazheli, jo vetëm për të dhënë infornmacione për dyshimet se subjektet që janë nën hetim mund të kenë pastruar para, por edhe për shkak se kjo drejtori ka nënshkruar në qershor të këtij viti një marrëveshje me Bankën e Shqipërisë për parandalimin e pastrimit të parave.

Ndërkohë, prokurori i çështjes Ramdan Troci ka ripyetur dy të arrestuarit e deritanishëm, ku ndërsa Bitraj vijon të këmbëngulë se i kishte shpenzuar lekët në lojrat e fatit, kolegia e tij Mimoza Bruzia ka ndryshuar qëndrim.

Ndryshe nga qëndrimi i parë i saj kur tha se nuk kishte dijeni për vjedhjen, tanimë ekonomistja Bruzia është shprehur se kishte konstatuar mungesën e 40 milionë lekëve, por nuk kishte kallëzuar pasi kishte shpresuar se Bitraj do t’i zëvendësonte ato, ashtu sikurse ai i kishte premtuar.

Për shkak të sekretit shtetëror, grupi i hetimit është mjaft hermetik për të dhënë informacione për çështjen në fjalë. Megjithëse jo zyrtarisht konfirmohet se rrethi i personave nën hetim është zgjeruar, çka do të thotë se prokuroria pritet të surprizojë me kërkesa të tjera arresti.

Top Channel