Keta, kampioni i Europës në boks

29/07/2014 00:00

10 ditë pasi u shpall kampion Europe në boks në kategorinë WBC, Gjetan Keta ka falenderuar shqiptarët për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë. I njohur në Gjermani si “Mike” Keta për shkak të stilit të tij të ngjashëm të boksimit me të famshmin Mike Tyson, 31-vjeçari nga Bulqiza, i cili mban mbi supe 17 fitore, ka theksuar se ëndrra e tij më e madhe është që duelin e radhës ta zhvillojë në kryeqytetin shqiptar.   

“Ndihem shumë mirë që ngjitem në ring si shqiptar dhe mbështetja e shqiptarëve më ka bërë që humbjet t’i ktheja në forcë. Dëshira ime e madhe që titullin kampion Europe ta mbroj në Shqipëri dhe që një ditë të bëhem kampion Bote”, tha Gjetan “Mike” Keta.

Pas Ismailit dhe Gjetanit, një tjetër shqiptar me mbiemrin Keta bëhet pjesë e fitoreve në ringun ndërkombëtar. Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Ferit Keta, i cili në të njejtën mbrëmje me Gjetanin u kurorëzua kampion i Gjermanisë në sportin e kikboksit.

“Ndihem shumë i kënaqur sepse falë stërvitjes dhe këshillave të vëllezërve të mi fitova një titull. Ky është vetëm fillimi për mua dhe shpresoj të fitoj tituj më të rëndësishëm me kalimin e kohës”, tha Ferit Keta.

Ndërkohë, Ismaili, i pari i dinastisë Keta dhe 3 herë kampion Bote në kikboks ka vendosur të tërhiqet zyrtarisht nga ky sport dhe të vazhdojë rrugën si trajner. Suksesi i tij i parë erdhi pikërisht në 19 korrik të këtij viti, ku vëllai i tij Gjetan Keta u shpall kampion Europe në boks në kategorinë WBC.

Top Channel