Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin në të cilin pak javë më parë u rrëzua kërkesa e kreut të shtetit Bujar Nishani, i cili kërkoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Presidentit dhe Kuvendit për shkarkimin në muajin shkurt të inspektores së përgjithshme të ILDKP-së Zana Xhuka dhe zgjedhjen e Shkëlqim Ganajt në vend të saj.

Gjykata Kushtetuese thotë në vendimin e zbardhur në 25 korrik se kërkuesi, Presidenti, pretendon zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, ndërkohë që Kuvendi në qëndrimin e tij ka parashtruar se votimi i shkurtit për shkarkimin e Xhukës synoi zgjidhjen e një situate të krijuar.

Gjykata thotë se pas shqyrtimit ia nënshtroi qëndrimet e gjyqtarëve procesit të votimit e duke qenë se nuk arriti shumicën e të gjithë anëtarëve të saj e rrëzoi kërkesën e kreut të shtetit.

Kjo, pasi tre gjyqtarët Besnik Imeraj, Fatos Lulo dhe Fatmir Hoxha votuan për mosshqyrtim në themel të pretendimeve të Presidentit. Sokol Berberi, thuhet më tej në vendimin e hedhur në faqen zyrtare, se votoi për mungesë të juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese dhe katër të tjerët: Bashkim Dedja, Vladimir Kristo, Viktore Tusha dhe Gani Dizdari votuan për zgjidhjen në themel të çështjes.

Konkretisht, thotë Gjykata Kushteuese, në kushtet kur gjatë votimit të çështjes votat u ndanë në mënyrë që asnjë përfundim i çështjes nuk arriti të votohej nga shumica e kërkuar, Gjykata vlerëson se kërkesa duhet refuzuar.

Sipas nenit 74 të ligjit, thuhet më tej se refuzimi i kërkesës për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm të votave nuk përbën pengesë që kërkuesi të riparaqesë kërkesën në rast se krijohen kushtet për formimin e shumicës së kërkuar. Por, në mendimin e tij  Bashkim Dedja argumenton në vendimin e zbardhur se pretendimi i Presidentit Bujar Nishani është një kompetencë ligjore që duhej analizuar në themel, jo vetëm për shkaqe doktrinale, por edhe sepse duhej konkluduar nëse konflikti ishte kushtetues dhe më pas nëse kishte apo jo mosmarrëveshje kompetencash mes organeve të perfshira në konflikt.

Në mendimin kundër edhe gjyqtari Vladimir Kristo shprehet se edhe pse nuk do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në rastin konkret, në këndvështrim të standarteve kushtetuese ai paraqet interes të veçantë publik.

Gjyqtarja Vitore Tusha, e cila ka votuar për shqyrtim në themel të çështes, shprehet mes të tjerash se kompetenca e Presidentit se në rast se disa ekuilibra prishen siç është ndarja dhe balancimi i pushteteve, atëherë i takon Gjykatës Kushtetuese të thotë fjalën e saj.

Top Channel