Franca ekstradon vrasësin e hebrenjve

29/07/2014 00:00

Franca ka ekstraduar personin e dyshuar për vrasjen e 4 njerëzve në Muzeun Hebraik, në Bruksel të Belgjikës.

Një zëdhënëse e policisë belge tha për agjencinë e lajmeve AFP se Mehdi Nemmouche, 29 vjeç, mbërriti në Bruksel të martën dhe po merret në pyetje nga policia.

4 persona u qëlluan për vdekje në sulmin e ndodhur në Maj, në mes të ditës, në zemër të kryeqytetit belg.

Nemmouche, i cili është franko-algjerian me origjinë, thuhet se ka kaluar 1 vit luftime me islamikët në Siri.

Avokati i tij apeloi kundër ekstradimit, duke thënë se kishte dështuar të garantonte mosdërgimin e tij “në një vend të tretë”, por gjykata më e lartë apeluese e Francës kishte refuzuar ankesën javën e kaluar.

I dyshuari thuhet se i frikësohej faktit që, me të shkuar në Belgjikë, ai do të ekstradohej në Izrael. Dy prej viktimave të sulmit të 24 Majit, ishin turistë izraelitë. Një femër, vullnetare franceze në muze, si dhe një i punësuar belg, mbetën të vrarë gjithashtu.

Mehdi Nemmouche është lindur në Roubaix, pranë kufirit me Belgjikën, dhe u arrestua në Marsejë, gjatë një kontrolli rutinë doganor, teksa kishte mbërritur me tren nga Amsterdami, vetëm pak ditë pas agresionit.

Policia tha se atij i ishin sekuestruar një kallashnikov dhe një pistoletë, të cilat i kishte përdorur në sulmin e tij. Pas vitit të kaluar në Siri, prokurorët thonë se ai ishte rikthyer në Europë duke zbritur në Gjermani.

Top Channel