Peleshi: Po rezistojmë për rritjen e çmimit

29/07/2014 00:00

Zv.Kryeministri Niko Peleshi tha se qeveria është duke i rezistuar rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët duke parë si mundësi liberalizimin e tregut të energjisë.

“Ministri gjithmonë ka rezistuar dhe ka refuzuar të marrë në shqyrtim opsionin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për të shëndoshur buxhetin e kompanisë së shpërndarjes sepse jemi ende në fazën që nuk kemi shteruar potencialin e madh që na jep mirëmenaxhimi i shpërndarjes”, tha zv.Kryeministri Peleshi.

Ai tha se Task Forca për energjinë e ngritur nga qeveria në muajin shtator hyn në një fazë të re, atë të ashpërsimit të masave për qytetarë, institucione apo biznese që nuk shlyejnë detyrimet e energjisë elektrike. Duke patur parasysh krizën e thellë në të cilën gjendet sektori elektro-energjetik, Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri thotë se do të duhen ende vite që të shndërrohet në sektor fitimprurës.

“Do të dojë të paktën 4-5 vjet që sektori të kthehet në një sektor fitimprurës për arsye sepse detyrimet dhe borxhet janë shumë të mëdha, dëmet që i janë bërë këtij sektori janë të jashtëzakonshme, me privatizime HEC-esh të pamenduara mirë që kanë rritur koston e energjisë duke e kthyer në një presion të vazhdueshëm tek tarifat e konsumatorit shqiptar”, deklaroi ministri Gjiknuri.

I pranishëm në analizën 300-ditore të Ministrisë së Energjisë, kreu i Sistemit të Shpërndarjes Arben Seferi tha se humbjet e energjisë janë ulur me 1.2 mld lekë krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Nga 5.1 miliard lekë që ishte humbja në 6-mujorin e parë të vitit 2013, humbja e 6-mujorit të parë të 2014 është 3.9 miliard lekë, ose 1.2 miliard lekë më pak”, tha Seferi.

Ndërsa një tjetër tregues problematik i sistemit të shpërndarjes, arkëtimet nga kamatë-vonesat sipas zotit Seferi janë rritur me 3.9 herë.

Top Channel