Gjiknuri: Presion për çmimin e energjisë

29/07/2014 00:00

Ministri i Energjitikës, Damian Gjinkuri pranoi se qeveria është nën presion nga ndërkombëtarët për të rritur çmimin e energjisë elektrike.

“I dinë gjithë shqiptarët favoret që u janë bërë çekëve qoftë me uljen e çmimit për energjinë për të furnizuar KESH-in, qoftë me veprimet e tjera që dëmtuan prodhimin e energjisë elektrike shqiptare, saqë kostot e privatizimit të katër HECE-eve janë të pambuluara edhe sot. Një nga arsyet përse kërkohet rritja e çmimit nga ndërkombëtarët është se asetet publike u shitën dhe ne detyrohemi të blejmë energji me 30 milionë ekstra”, deklaroi Gjiknuri.

Në komisionin e ekonomisë, kryetari Erjon Braçe i ka kërkuar qeverisë të nxjerrë para ligjit përgjegjësit për rrënimin e kompanisë së shpërndarjes, e cila pas privatizimit nga qeveria e mëparshme përfundoi e falimentuar.

“Po ju kërkoj një rezolutë. Do jetë në relacionin e këtij komisioni dhe në Parlament. Kërkoj përgjegjësi penale për Sali Berishën dhe rrethin e tij për këtë degradim të rrjetit energjitik shqiptar. Zoti ministër, ne duhet të kuptojmë se jemi këtu për të mbrojtur çdo qindarkë”, deklaroi Braçe.

Qeveria e riktheu CEZ në pronësi shtetërore kundrejt një pagese prej 95 milionë euro. Por kreu i komisionit të ekonomisë tha se ky nuk është dëmi i vetëm korruptiv që i është lënë qytetarëve nga qeveria e mëparshme dhe për të cilin kërkohet nxjerrja e fajtorëve para ligjit.

“U bënë shumë. 85 milionë euro për Albpetrol, 95 për këtë marrëveshje sot, 57 për mashtrimet me TVSH dhe në fund 5 milionë euro, por që mund të jenë edhe më shumë, në Bankën e Shqipërisë. E di që kemi një problem me drejtësinë, por duhet ta shembim këtë mur pasi nëse këta nuk dënohen i bie që ne nuk po mbrojmë më interesin publik”, theksoi Braçe.

Sektori energjitik është mbërthyer në një zinxhir detyrimesh të ndërsjellta që kanë në qëndër kompanitë publike. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se për shkak të kësaj, borxhi i prapambetur është më i madh nga shuma e deklaruar prej 726 milionë dollarësh, pasi sipas tij, në të nuk janë përfshirë detyrimet e KESH ndaj HEC-eve private dhe ato të pushtetit lokal.

Top Channel