Britania kufizon përfitimet për emigrantët

29/07/2014 00:00

Mbretëria e Bashkuar do të reduktojë periudhën kohore gjatë të cilës emigrantët nga vendet e BE mund të përfitojnë ndihma nga 6 në 3 muaj.

Kryeministri David Cameron deklaroi se “tërheqja magnetike” e përfitimeve që ofron Britania e Madhe duhet të tërheqë njerëz për arsyet e duhura. Në një shkrim të tijin në “Daily Telegraph”, Cameron tha se reforma për emigracionin duhet të vendosë “Britaninë të parën”.

Laburistët kanë deklaruar se ministrat e kabinetit qeveritar e kanë ekzagjeruar me numrin e bullgarëve dhe rumunëve që mund të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që nuk kanë bërë sa duhet për të frenuar emigracionin e paligjshëm.

Zoti Cameron pritet t’i publikojë planet e tij gjatë një vizite në zyrat e emigracionit më vonë gjatë së martës. Në artikullin e tij, kryeministri tha se kontrolli i emigracionit është një nga planet prioritare të qeverisë së tij.

Ai shtoi se, qeveria e kaluar laburiste ndoqi një politikë pa kritere sa i takon sistemit të mirëqënies, gjë që tërhoqi në vend emigrantë për arsye të gabuara.

Ai citoi edhe masa të tjera të miratuara së fundmi dhe që do të hyjnë së shpejti në fuqi, si kompetencat e reja për tërheqjen e patentave për ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vend, “si provë se qeveria po ndërton një sistem emigracioni që vendos Britaninë të parën”.

“Ne po ndryshojmë rregullat në mënyrë që askush të mund të vijë në këtë vend dhe të presë menjëherë përfitimet që jepen në rast se nuk ka një vend pune. Të gjithë duhet të presin të paktën 3 muaj”, shtoi Cameron.

Top Channel