Bllokohet lëvizja në Kakavijë

28/07/2014 00:00

Me qindra qytetarë shqiptarë janë të bllokuar në radhë në hyrje për në Greqi për shkak të një defekti në sistemin kompjuterik të njoftuar nga pala greke pak pas mesditës.

Qarkullimi u pengua plotësisht në të dy anët e lëvizjes duke shkaktuar radhë të gjata. Rreth orës 18:00  pala greke vendosi të lejojë hyrjen në Shqipëri, duke regjistruar në librin e posaçëm të gjithë shtetasit.  Ndërsa fluksi në dalje vijon të jetë i kufizuar pasi lejohen të kalojnë vetëm shtetasit e huaj, qytetarët grekë dhe shtetasit shqiptarë që kanë dokumenta e leje qëndrimi 10-vjeçare në Greqi.

Zyrtarisht, sipas palës greke, shtetasit që disponojnë këto dokumenta janë lehtësisht të verifikueshëm. Ndërkaq sipas të dhënave të palës shqiptare duhet të jenë kthyer pas, ndërsa nuk kanë mundur dot të kalojnë rreth 600 shtetas shqiptarë.

Ne tokën shqiptare në pritje janë dhjetëra mjete që mesa duket do të qëndrojnë deri në të martën në mesditë me shpresë që sistemi të funksionojë.

Ky problem i shfaqur në Kakavijë vjen në një moment tensioni mes dy vendeve për shkak të reformës territoriale që maxhoranca pritet të miratohet ketë të enjten në parlamentin e Shqipërisë dhe ku Greqia përmes Ministrit të saj të Jashtëm, Evangjelos Venizelos ka ndërhyre në punët e brendshme për çështjen e Himarës.

PBDNJ dhe Omonia kundërshtojnë bashkimin me Vranishtin, ndërsa qeveria është e vendosur të mos ndryshojë variantin e saj. Ky problem është shfaqur vetëm në Kakavijë ndërsa nuk ka probleme në pikat e tjera të kalimit kufitar me Greqinë.

Top Channel