Në qytetin më të vjetër të Kosovës, në Novobërdë, që ndodhet 35 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, vazhdojnë të zbulohen artefakte dhe objekte që vërtetetojnë vjetërsinë e saj.

E vendosur në një kodër prej 1.124 metra mbi nivelin e detit, kalaja e qytetit, i cili pas luftës në Kosovë ka filluar të përdorë edhe toponimin shqip Artane, po rikonstruktohet.

Ky projekt, që po financohet nga Komisioni Evropian me vlerë fillestare prej 2 milionë euro, synon të ruajë kalanë e shekullit të 13. Rreth saj besohet se jetuan 40 mijë qytetarë që në kohën e Bizantit, ndërsa tani në Novobërdë jetojnë vetëm rreth 4 mijë qytetarë.

Arkeologë kroatë dhe shqiptarë që po punojnë prej dy muajsh në këtë projekt. Fitim Bunjaku, menaxher i projektit për konservimin e kalasë, ka treguar për Top Channel zbulimet e reja nga gërmimet.

Përreth objektit të Kalasë së Novobërdës arkeologët tanimë kanë gjetur edhe hyrjen kryesore të kalasë, puset e ujit, si dhe gjëra të tjera që shfrytëzoheshin qindra vite më parë nga banorët e kalasë, muret e së cilës arrijnë në tri metra gjerësi.

“Fazën e parë e kemi përfunduar. Është bërë zbulimi, hapja e mureve. Pastaj matjet, bëhet dizajnimi i tyre dhe tani përgatitjet për fazën e dytë, ku bëhet fjalë për konservimin, ndërtimin e mureve. Jo si kanë qenë më herët, por në njëfarë mënyre të konservuara mirë. Zakonisht hasim nëpër artefakte të vjetra, bëhet fjalë për artefakte nga mesjeta deri tek ato të luftës së fundit, të Luftës së Dytë Botërore”, tregon Bunjaku.

E ndërsa restaurohet, kalaja mbetet e hapur për vizitorët. Në këtë qytet zhvillohet turizëm rural dhe vetëm vitin e kaluar u numëruan rreth 10 mijë vizitorë nga Qendra e Turizmit Rural.

Familjet e ndryshme të Novobërdës kanë rregulluar ambientet e shtëpive të tyre ku akomodojnë turistët, pasi ky aktivitet u sjell të ardhura.

Feime Novobërdaliu, që ka në dispozicion një minirestorant dhe dy dhoma gjumi, përgatit edhe ushqime tradicionale për turistët që pushojnë aty. “Ne ofrojmë më së shumti flija, pite, bukë të mrume. Këto kërkojnë kryesisht turistët”, thotë ajo.

Afër kalasë së Novobërdës, ku Feime Novobërdaliu pret turistët, ndodhen edhe objekte të vjetra fetare si katedrale, xhami dhe tyrbe, pasi në periudha të ndryshme në këtë qytet kanë jetuar qytetarë të besimeve të ndryshme.

Top Channel